FSHF

De Biasi: Tifozët shqiptarë do vijnë edhe në Palermo

Giani De Biasi e mbylli vitin 2016 si personazhi më i dashur nga shqiptarët. Një pozicion që e ka befasuar edhe vetë trajnerin e përfaqësueses shqiptare. Në një intervistë për “Top Channel”, trajneri Italian tregon vështirësinë që ka për të gjetur zëvendësin e Tramezzanit, por gjithashtu flet edhe për ndeshjen e radhës me Italinë, ku shpreson që, pavarësisht se luhet në Palermo, të ketë sa më shumë tifozë shqiptarë, duke shpresuar në një rezultat pozitiv.

De Biazi dhe Tramezzani

De Biasi dhe Tramezzani gjatë grumbullimit para Europianit 2016

“Tashmë do të kemi ndeshje njëra më e vështirë se tjetra, por duhet të përpiqemi të përballemi me kurajo ndaj kundërshtarëve. Dhe të bindur se, pavarësisht emrave të mëdhenj, ndeshja zhvillohet në fushë. Shqipëria ka humbur shumë me largimin e Tramezzanit, një profesionist shumë i mirë, për të cilin unë ende nuk po arrij të gjej një zëvendësues. Po mendohem mirë. Shqipëria tashmë ka krijuar gjurmët e rrugës së saj dhe ka treguar që mund të bëjë gjëra të mëdha edhe në një realitet të vogël”, – tha Gianni De Biasi.

Trasfertën e radhës, italianët janë përpjekur të na e bëjnë edhe më të vështirë me vendimin për ta luajtur në Palermo. “Sa i përket ndeshjes në Palermo, jam i bindur që federata italiane e ka bërë me qëllim që të mos ketë shumë tifozë, siç do të kishte në ndonjë qytet në qendër apo në veri të Italisë. Megjithatë kam bindjen se tifozët shqiptarë do ta gjejnë mënyrën për t’u organizuar dhe për të qenë të shumtë në stadium, edhe aty”, – shtoi De Biasi, teksa e mbyll: “Babagjyshi shpresoj që të na dhurojë ndonjë gjë më tepër në mars, që do të ishte shumë më e rëndësishme se në këtë periudhë festash.”

Më shumë nga FSHF