Seria A

De Laurentiis “fundos” Sarri-n, zbulon telefonatën para Napoli-Liverpool

Presidenti i Napoli-t, Aurelio De Laurentiis, ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”, në të cilën ka folur për Carlo Ancelotti-n, Maurizio Sarri-n dhe Napoli-n në përgjithësi.

“Sarri? Mendoja se kisha gjetur një trajner që do të rrinte për një kohë të gjatë te Napoli. Në një moment të caktuar gjithçka u përqendrua te paratë”, ka thënë numri një i “axurrëve”.

“Papritur, mediat vendosën që kontrata e tij duhej përmirësuar. Çfarë vlere ka një marrëveshje e sapo nënshkruar? Ne shkuam nga 700.000 euro në 1 milion e gjysmë. Deklarata e dashurisë të Sarri-t për qytetin? I besova, por më pas pyeta veten: ‘Po sikur të jetë duke më përdorur mua si bankë?'”.

“Ardhja e Ancelotti-t ishte e shkruar. Na janë dashur vetëm pesë minuta për të arritur një marrëveshje. Ka qenë negociata më e shpejtë që kam bërë në 15 vitet e mia në futboll. Me atë kam një marrëdhënie njerëzore. Para ndeshjes me Liverpool i telefonova në mëngjes”, ka zbuluar De Laurentiis.

“Dhashë disa mendime në mënyrë të edukuar, por edhe autoritare. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso, president, ne do të fitojmë’. Insigne? Ai nuk më ka befasuar. Është një produkt i Napoli-t. Ka treguar se është një burrë i vërtetë”, ka përfunduar De Laurentiis.

Më shumë nga Seria A