Seria A

De Vrij largon paragjykimet: Dua të jem atje, të luaj kundër Interit

Ankthi sa vjen e rritet në të dyja kampet. Të dielën në mbrëmje do të përplasen kokë më kokë Lazio dhe Interi, në garë për të zënë vendin e katërt në Seria A, që do të thotë pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm. Lazio ka tri pikë më shumë në klasifikimin aktual, ndaj luan për dy rezultate nga tre të mundshme. Zikaltërve iu bën punë vetëm fitorja, për të arritur qëllimin e sezonit.

Një sfidë me një mijë e një emocione kontradiktore, sidomos për Stefan de Vrij, sepse sezonin e ardhshëm do të luajë nën urdhërat e Luciano Spalletti. Kontrata tashmë e depozituar me Interin ka hapur shumë polemika dhe në Romë e shohin atë si një përpjekje për të destabilizuar Lazion në këtë pikë vendimtare të sezonit .

Sensacione negative, por ish-lojtari i Feyenoord nuk do të marrë në konsideratë gjëra të tilla. Për “Premium Sport”, De Vrij thotë se ka mirëbesimin e shokëve të tij dhe shpreh gatishmërinë për të qenë në fushë, në “Olimpico”, pa marrë parasysh situatën komplekse, në të cilën është protagonist.

Këto janë fjalët e tij: “Dua t’i hedh poshtë të gjitha dyshimet dhe paragjykimet. Dua të jem atje, me skuadrën. Dua të luaj, për shkak se është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, kryefinalja e sezonit”.

Më shumë nga Seria A