Kombëtarja

Dëmtimi i Mihajt është serioz, kthimi në fushë do të vonojë

Dëmtimi i Mihajt është serioz, kthimi në fushë do të vonojë

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar këtë mesditë, se mbrojtësi Enea Mihaj, ka pësuar një dëmtim të kockës. Mihaj pati një kontakt fizik gjatë ndeshjes së ditës së djeshme me një nga lojtarët e Jordanisë, çka duket i ka kushtuar shumë futbollistit kuqezi. Lajmin për frakturën në kockë e ka bërë të ditur vetë FSHF-ja me anë të një njoftimi ku thotë: “Skuadra përfaqësuese e futbollit ka vijuar sot paradite seancën stërvitore, një ditë pas ndeshjes miqësore me Jordaninë, e mbyllur në barazim 0-0 në “Elbasan Arena”.

Pas dëmtimit të djeshëm gjatë ndeshjes, futbollisti Enea Mihaj pas diagnostikimit ka pësuar një thyerje të peronit dhe menjëherë i është nënshtruar fazës riaftësuese, e cila do të zgjasë disa javë”-shkruan FSHF. Por çfarë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës me Enea Mihajn?!

Ishte fillimi i ndeshjes, kur Enea Mihaj, pas një kontakti me një futbollist kundërshtar të Jordanisë, do të shtrihej në fushë. Në atë moment u duk si një dëmtim i zakonshëm, që ndodh shpesh pas kontaktit fizik mes dy lojtarëve. Mirëpo pas disa momentesh, stafi mjekësor u fut në fushën e lojës dhe kontrolloi këmbën e mbrojtësit. U bë i detyruar zëvendësimi, pasi futbollisti kuqezi nuk vazhdonte dot më tej.

Dy pjesëtarët e stafit mjekësor e ndihmuan Mihajn të dilte jashtë fushe, duke iu drejtuar dhomave të zhveshjes. Pas pak nga stadiumi u pa të nisej ambulanca, e cila transportoi futbollistin drejt spitalit për të kryer ekzaminimet mjekësore. Pas ndeshjes nuk pati një përgjigje të qartë për nivelin e dëmtimit, ndërsa sot mësohet se Mihaj ka pësuar një frakturë në kockë, që do e mbajë jashtë fushe për disa javë.

Më shumë nga Kombëtarja