FSHF

Dervishaj: “Loro Boriçi” drejt përfundimit, ja kush mund ta administrojë

Menaxhimi i stadiumit “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës vijon të mbetet një çështje e pazgjidhur. Punimet që po kryhen në këtë stadium bëjnë që administrimi t’i mbetet ende Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, nga ana tjetër, është premtuar që, sapo të përfundojnë punimet, të dyja palët, Bashkia Shkodër dhe FSHF, të ulen e të bisedojnë. “Shkodra.News” është marrë me këtë çështje dhe ka kontaktuar me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv në FSHF dhe njëkohësisht kryetari i komisionit për investimet dhe infrastrukturën sportive, Arben Dervishaj, i cili thotë se në fund të vitit mund të përfundojnë punimet në pistën e atletikës dhe më pas do të bisedohet për dorëzim të stadiumit, ose bashkëmenaxhim. “Në lidhje me stadiumin “Loro Boriçi” mund t’ju them shkurtimisht që në këtë moment po përfundojmë punimet për pistën e atletikës. Pasi ta kryejmë edhe këtë proces, do të ulemi e të flasim me Bashkinë Shkodër për dorëzimin e impiantit sportiv, ose bashkëmenaxhimin e tij. Besoj se në fund të vitit përfundon pista. Pastaj, mbas vitit të ri do të kolaudohet nga IAF dhe do të bisedohet, siç thashë, për dorëzim apo bashkëmenaxhim,” – thotë fillimisht Dervishaj.

Ky i fundit shton se për Bashkinë Shkodër do të jetë problem kostoja e mirëmbajtjes, që është e lartë dhe fleksibiliteti i riparimeve në rast të dëmtimit të stadiumit: “Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë, pasi të përfundojnë punimet. Bashkia Shkodër ka kërkuar që të marrë në dorëzim stadiumin, pasi të kenë përfunduar punimet (sapo të përfundojë edhe pista ). Mundësitë janë, por do të varet nga ajo, se sa të dyja palët. FSHF-Bashki mund të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Gjithashtu, problem për bashkinë do të jenë kostot e mirëmbajtjes, që janë të larta, si edhe fleksibiliteti i riparimeve në rast të dëmtimit të stadiumit, pasi bashkia vepron sipas rregullave të prokurimit public, që kërkojnë kohë, ndërsa FSHF-ja është më fleksibël në këtë drejtim”.

Më shumë nga FSHF