Futboll

Dëshpërimi i Dajës pas Kamzës, kjo foto i tregon të gjitha për gjendjen e Flamurtarit

“U largova nga Korça për një projekt më ambicioz“, – ishte fraza që mund t’i kujtohej në mendje trajnerit Ilir Daja pas ndeshjes së barazuar me Kamzën me rezultatin 2-2. Nëse Pollozhani nuk do të kishte rrëshqitur, tekniku nuk do të ishte ulur në pankinën modeste të stadiumit të Kamzës duke thithur cigaren me shpatullat e mbledhura dhe mërzinë evidente. Pas mbarimit të ndeshjes, Daja nuk gjeti fuqinë për të shkuar në dhomat e zhveshjes, me shpatullat e mbledhura, ai së bashku me stafin e tij qëndruan gjatë në stol duke helmuar veten me tymin që i rivijëzohej në sy. Retinën e kishte të përqëndruar në barin e gjelbërt, por mendjen e kishte gjetkë…

Kapiteni i një anijeje që përjeton tallaz edhe në cektinë. Daja ka një detyrë të vështirë, pasi është në luftë me kohën dhe durimin e Sinan Idrizit. Administratori ka treguar se arrin t’u besojë trajnerëve, i var çelësat në qafë dhe u thotë: “vazhdo tani”! E bëri me Duron, po e bën me Dajën, por sa kohë do të durojë? Ekuacion me një vlerë të panjohur. Numri një i stolit dukej pak i dorëzuar, por Flamurtari i tij po merr pak nga pak formën që kryepankina do.

Në ndeshjen kundër Kamzës ishte shumë më mirë se në humbjen ndaj Laçit. Presing lart dhe topa të luajtur në tokë. Ndryshim mendësie dhe mentaliteti në skuadër, meriton një bravo për këtë. I jep fanellën e titullarit Mustës që shtyn pak më shumë se Kotobelli në krahun e majtë dhe kërkon që ekipi të jetë kompakt dhe repartet pa distanca mes tyre. Ia del në momente të caktuara, por ekipi nuk e përballon në 90 minuta diçka të tillë. Asnjë ekip nuk ia del mbanë, gjatë gjithë lojës të vërë në presing kundërshtarin, por vlonjtët lëshohen komplet. Zhduken dhe i lënë hapësira ekipit kundërshtar. Ndodhi dhe ndaj Kamëz. Vendasit ishin të lodhur dhe dukshëm nuk kishin aq qartësi, por gabimet individuale të miqve ia bënë më të thjeshtë deri sa vunë në rrezik dhe pikën e fituar, pasi fitorja u rrëshqiti nga duart. Daja ia ka hyrë një rruge të vështirë, por kapiteni duhet të gjejë valën e duhur për të lundruar me ekipin e tij, pasi anija “Flamurtari” po lëkundet dhe përplaset sa në njërin krah në krahun tjetër.

 

 

Më shumë nga Futboll