Futboll

Dështim dhe refuzim për Chelsea: “Nuk vij, Conte s’lejon pulën në stërvitje!”

Nuk ka paqe për Antonio Conte. Chelsea i tij, i rrëzuar në Premier League, ku mban vendin e tretë, pas dy ekipeve të Manchester dhe i ndjekur nga Liverpool, tashmë përballet edhe me krizën në merkato. Trajneri italian ka dështuar në të gjitha tentativat e deritanishme në këtë merkato janari, fillimisht me Dzeko, më pas me Andy Carroll, Peter Crouch dhe Fernando Llorente. Asnjëri nga klubet nuk ul kërkesat financiare për sulmuesit e preferuar nga Conte dhe që konsiderohen prej tij si alternativa për të lehtësuar detyrën e Morata, për të shënuar gola të rëndësishëm.

Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, direkt nga rrjetet sociale ka mbërritur një tjetër goditje e veçantë. Adebayo Akinfenwa, i njohur ndryshe si “Bisha”, për fizikun e tij shumë muskuloz dhe të ekzagjeruar, që sot mban veshur fanellën në masën XXL të Wycombe Wanderers, nëpërmjet llogarisë së tij në “Twitter”, duke u tallur me dështimet e Chelseas, u tërhoq nga lista e kandidatëve për sulmin e “Bluve të Londrës”, duke treguar edhe motivin shumë të veçantë dhe qesharak, ndonëse të mirëkuptueshëm për personazhin. “Jam i nderuar të mësoj se Chelsea është interesuar për mua, por kam dëgjuar se Conte nuk lejon të hahet pulë në stërvitje, ndaj më vjen keq, por nuk e bëj dot!”, ka shkruar futbollisti në “Twitter”, duke bërë për vete të gjithë rrjetin.

Më shumë nga Futboll