Futboll

Dështim total, Luftëtari largon trajnerin slloven

Një fillimsezoni katastrofik, por që i kishte rrënjët te një verë skandaloze, ka bërë që Luftëtari të largojë trajnerin Milos Kostic. Lajmi është publikuar sot nga Panorama-Sport, ndërsa drejtuesit e Luftëtarit e konfirmojnë vetëm pas kontakteve me ta, sepse zyrtarisht nuk ka asnjë komunikatë nga klubi, çka tregon nivelin e ulët të organizimit dhe shthurjen totale të një klubi që deri vjet gëzonte respektin e gjithë Shqipërisë.

Pas kualifikimit për në Europa League erdhi kthesa e pabesueshme: trajneri Hasan Lika u largua pa i thënë as faleminderit, disa nga lojtarët kryesorë të sezonit të shkuar u larguan si të panevojshëm dhe prezantimi në Europa League ishte një turp historik, me ndeshjen e kthimit ndaj Ventspils që është nën hetim për manipulim për përfitime nga bastet e paligjshme.

Faturën e dështimit e merr trajneri Kostic, i cili erdhi në Shqipëri për të ndërtuar një projekt afatgjatë dhe firmosi një kontratë 3-vjeçare, por nuk e dinte çfarë e priste. Skuadra u bë e u ribë, erdhën të huaj pa kriter dhe u braktis linja e të rinjve, ndjekur deri vitin e shkuar.

Për pasojë, loja dhe rezultatet janë përkeqësuar jashtëzakonisht dhe pas 4 humbjesh rresht në kampionat klubi gjirokastrit ka vendosur të thotë “mjaft”, a thua se nuk e kishte bërë të njëjtën gafë edhe vitin e shkuar, kur mori dy trajnerë nga Uruguai dhe i largoi me ceremoni në vjeshtë.

Tashmë në Gjirokastër shpresojnë të korrigjohen sa janë në kohë dhe klubi ka kontaktuar trajnerin Gentian Mezani, i cili nuk ka dhënë ende përgjigje. Vlonjati ka biseduar ditët e fundit edhe me Prishtinën, ndërsa më parë mori ofertë edhe nga Kamza, por nuk dëshiron të nxitohet, sepse marrja e një ekipi në rrugë e sipër është një bast i rrezikshëm dhe duhet garanci, mbi të gjitha për seriozitet nga klubi, gjë që Mezani e gjeti vjet te Laçi, por nuk ka sigurinë se do e gjejë në Gjirokastër.

Më shumë nga Futboll