Futboll

Dhunohet trajneri i Vllaznisë, krimineli i armatosur me thikë

Futbolli prej kohësh ka dalë nga konturi sportiv, për tu bërë shpesh herë pjesë e kronikave sociale, sikurse dhe kronikave të zezë. Kjo e fundit ka qenë pikërisht rasti i sotëm në Shkodër, atje ku një person ka tentuar të godasë me thikë trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjoka. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në impiantin sportive “Reshit Rusi”, në momentin e përfundimit të seancës stërvitore të skuadrës kuqeblu. Sipas përshkrimit të dëshmitarëve të ngjarjes, një person me kapuç është afruar pranë trajnerit Gjoka në tentativë për ta goditur, por pa mundur dot të realizojë qëllimin e tij, falë shmangies së teknikut të Vllaznisë, por edhe ndërhyrjes së personave të tjerë aty pranë. Në momentin e largimit të atentatorit, është vënë re se ai mbante në dorë një armë të ftohtë, të dyshuar si thikë.

Pikërisht për ngjarjen, ka reaguar edhe Policia e Shtetit, që ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes. “Me datë 22.02.2018 rreth orës 17:00, salla operative ka marrë një njoftim se afër portës hyrëse të një fushe sportive, një shtetas i është afruar trajnerit të Vllaznisë, E.Gj, i cili ka qënë në shoqërimin e një shtetasi tjetër të quajtur G. L, dhe e ka sulmuar duke goditur me grusht.Trajneri i Shkodrës është shmangur duke kundërvepruar ndaj sulmuesit dhe në ato momente ka rënë tokë. Pas kësaj personi është larguar me vrap, ku në ikje e sipër është vënë re në dorën e tij një mjet prerës në dukje si thikë. Shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punohet për kapjen e këtij të fundit”, citon njoftimi i policisë.

Më shumë nga Futboll