Futboll

Ze Maria e mbyll me Tiranën: Uroj të isha problemi, nuk hedh baltë mbrapa!

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka mbërritur me vonesë në “Selman Stermasi”, në sallën e konferencave, teksa pritej që ajo të niste në orën 12:00, por është shtyrë për shkak se ish-mbrojtësi është vonuar, bashkë me stafin e tij.

Ai është prezantuar bashkë me të shoqen dhe gjithë pjestarët e tjetër bashkëpunues. Menjëherë, sapo konferenca ka nisur, ka qenë presidenti Refik Halili ai që ka mbajtur fjalën e parë, duke lajmëruar edhe atë që dihej: “Sot po bëjmë mbylljen e marrëveshjes që kemi pasur me trajnerin Ze Maria”.

Edhe tekniku bardheblu, që është dukur mjaft i qeshur, mbajti një diskutim:

Mirëdita. E mbyllim ashtu si e nisëm. Një vit e 6 muaj më parë u takuam këtu. Është e drejtë që të largohem duke folur sërish me të gjithë, pa zgjedhur njërin apo tjetrin për intervistë. Sot jam i juaji, mund të bëni pyetjet që dëshironi. Ndërkohë falënderoj klubin, ju gazetarët, ishte një periudhë rritjeje në karrierën time, kam njohur njerëz që duan të mirën e këtij klubi. Jam i kënaqur që kam qenë pjesë e kësaj familjeje dhe si në çdo familje, ka pasur probleme, gjëra të mira e jo të mira. Si në një martesë, kur ajo nuk shkon mirë kërkohet zgjidhje dhe ndonjëherë divorci është i domosdoshëm dhe tani momenti erdhi.

Një falënderim të veçantë për tifozët, më vjen keq që nuk i kemi pasur gjithnjë ë stadium, për probleme të tjera. Uroj të shihemi së shpejti, nuk e di ku. Shpresoj të kem lënë gjurmë pozitive në Shqipëri.

Para një jave fola me presidentin, vendosëm të luanim ndeshjet kundër Kastriotit dhe Laçit, pastaj do të shihnim si ecin gjërat. Duke parë që rezultatet nuk po vinin dhe skuadra nuk po rritej ashtu si doja unë, nuk ka kuptim që trajneri të vazhdojë. Është zgjedhja më e mirë për të gjitha palët.

Më vjen keq, sepse unë jam një person ambicioz dhe nuk dua të largohem në këtë mënyrë. Rezultatet nuk janë pasqyrë e asaj që kemi bërë këtë kampionat. Ju e dini mirë si funksionon futbolli, rezultatet janë kryesore.

Nuk e di çfarë do ndryshoja nëse do kthehesha pas, nuk ka shumë vlerë, edhe pse e di që ju doni që unë t’i drejtoj gishtin dikujt. Kam kërkuar gjithnjë t’i zgjidh problemet brenda grupit, nëse pastaj dilnin jashtë nuk ishte faji im. Do ndryshoja vetëm përgatitjen gjatë verës, po të kisha mundësi.

Uroj që Tirana të përmirësohet pas largimit tim. Ndodh kudo që të ketë ndryshim dhe shpresoj që problemi të ketë qenë trajneri, në mënyrë që skuadra të përmirësohet në rezultate.

Problemet? Nuk ka nevojë që unë të hedh baltë tani që po largohem, nuk mund të flas keq për klubin ku kam punuar, mos prisni që të vjell vrer ndaj klubit, skuadrës apo presidentit.

Mungesa e rezultateve? Nuk do ndryshoj asnjë presje nga ato që kam thënë. Skuadra ka pasur një lloj bllokimi, që lidhet me rënien nga kategoria dhe nuk është e lehtë të ringrihesh. E kam parë që grupi e vuan psikologjikisht të luajturit në Superiore dhe të rinjtë duhet ta kuptojnë peshën e fanellës, historinë e këtij klubi. Është fanella më e rëndësishme në Shqipëri, me gjithë respektin për ekipet e tjera, ndaj lojtarët duhet të japin gjithnjë diçka më shumë në krahasim me atë që kërkon trajneri.

Presioni për sukses? Presioni është normal, në këto nivele duhet gjithnjë sukses. Kur drejton Tiranën, apo Partizanin, këtu në Shqipëri, është si të drejtosh Juventusin në Itali, presioni është normal. Kam folur me presidentin dhe le të themi që mbase unë nuk kam qenë ta çoj skuadrën aty ku duhej.

Largimi kaq i shpejtë, befasi? Unë kisha kërkuar disa lojtarë cilësorë që nuk erdhën, për arsye të ndryshme, ndoshta për arsye financiare. Erdhën disa të tjerë që ndoshta nuk ishin ata që doja dhe nuk kishin karakteristikat që kisha në mendje, ndaj disa vështirësi i kam hasur. Sidomos në pjesën e parë të përgatitjeve nuk kisha lojtarë, vetëm 11 ishin. Këto janë probleme serioze për një trajner, por pasi nisi kampionati nuk mund të ankohesha. Jam i zhgënjyer nga rezultatet, jo nbga puna e përjavshme që kemi bërë, sepse gjatë javës gjërat ndoshta ishin perfekte, por në ndeshje nuk ndodhte ashtu. Aty pyesja veten ku ishte problemi, ku gabuam. Ky është zhgënjimi, do të thotë që trajneri nuk diti të fuste në mendjet e lojtarëve që ato që bëhen gjatë javës duhen zbatuar në fushë.

Një këshillë për Halilin, për pasuesin? Nuk mund të jap asnjë këshillë, unë kam gabuar dhe nuk kam të drejtë të flas. Pasuesi im duhet të bëjë detyrën e tij.

Kthim në Shqipëri, si për shembull te Partizani? Kam refuzuar më parë klube të tjera të mëdha në Shqipëri, para Tiranës. Edhe tani kam marrë oferta dhe kam refuzuar, sepse nëse do të qëndroja në Shqipëri, do të tregoja mungesë respekti për Tiranën. Shpresoj që të mos kem armiq në klubet e tjera, por unë identifikohem me ngjyrat bardheblu, ndaj është shumë e vështirë që të shkoj në ndonjë klub tjetër në Shqipëri.

Eksperienca bardheblu me një fjalë? E vështirë të gjej vetëm një fjalë. Emocionese, do thosha. Këtu duhet të vrashës një luan çdo ditë, është si në Afrikë. Nëse nuk e bën një ditë, ditën tjetër ke dy luanë përballë. Gjithsesi, është një eksperiencë që më ka rritur, si person dhe si trajner.

Pas Ze Marias, fjalën e ka marrë presidenti i Tiranës, Refik Halili…

“Këtu e nisëm dhe këtu po e mbyllim, po ndahemi pa probleme, sepse klubi ynë dëshiron të punojë dhe të ndahet mirë me çdo punonjës. Kam 16 muaj që nuk flas, jam shumë i impenjuar gjithë kohën, asgjë nuk bëhet pa miratimin tim në klub dhe unë di gjithçka për gjithçka ndodh në klub. Është normale që një drejtues klubi të dijë gjithçka që ndodh në klub.

Përsa i përket ndarjes me trajnerin, kishim një projekt për të cilin kishim biseduar shumë gjatë dhe Ze Maria ishte i impenjuar në maksimum për të bërë diçka madhore, duke punuar edhe me ekipin e Akademisë, ndërsa ne si klub kemi dashur të bëjmë investime në infrastrukturë, pasi nuk kemi terrene sportive të mjaftueshme. Megjithatë, jemi në Shqipëri dhe duhet pak punë dhe ndihmë, që klubi të shkojë aty ku duhet.

Për sa i përket trajnerit, është një trajner shumë profesionist e korrekt, nuk kemi pasur thyerje disipline nga askush. Kemi qenë shumë korrektë me të gjitha, duke nisur nga faza përgatitore dhe në fund jemi ndarë. Më vjen keq, nuk është mirë as për klubin dhe as për ne, sepse kemi shpenzime shtesë, por rezultatet na detyrojnë ta mbyllim këtë marrëveshje.

Kemi folur javë pas jave, trajneri ka pasur ankesa për lojën në fushë, ndërsa për sa i përket informacionit që kërkojnë mediat, ju them që nuk na ka mbajtur të lidhur kontrata, siç pretendojnë gazetarët. Nuk na ka lidhur pjesa ekonomike, Ze Maria ka qenë person shumë korrekt dhe tolerant, ndryshuam edhe kontratën 1+1 pas ngjitjes në Superiore, duke prishur kontratën e parë dhe duke firmosur një kontratë të re, me kushte të reja. Kontratë 2-vjeçare, ku klubi kishte të drejtë të rinovonte apo jo për vitin e dytë.

Kam vlerësuar shumë përpjekjet e vazhdueshme të Ze Marisë për të çuar skuadrën përpara. Dikush ka thënë që klubi nuk dëshironte ta prishte marrëveshjen, është e vërtetë. Mund ta kishim larguar trajnerin që para 10 ditësh, por pritëm, ndërsa tani jemi të detyruar të nisim gjithçka nga e para, duke marrë përsipër shumë siklete.

Për sa i përket anës financiare, raporti ka qenë shumë i qartë, gjithçka është mbyllur për 5 minuta, diçka që nuk do e bënte askush veç Ze Marisë.

Së shpejti do të publikohen edhe dokumentet, që të shihni që nuk janë vetëm fjalë, por gjithçka ka qenë transparente dhe e ndershme, me marrëveshje miqësore, ndryshe nga çka ndodhur me të tjerë në të shkuarën, me persona që kanë përfunduar gjykatave. E falënderoj Ze Marinë, ka një emër të madh dhe jam i bindur që do ecë përpara në karrierë. Jam treguar shumë i kujdesshëm me të, sepse është një emër i madh në botë.

 

Më shumë nga Futboll