Kampionati Shqiptar

Disiplina pezullon Shpëtim Duron, masakron me gjoba Flamurtarin

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së u mblodh ditën e sotme dhe mori në shqyrtim problematikën e shfaqur në javën e kaluar, në garat e të gjitha kategorive kombëtare, të relatuara pranë tij nga sekretariati teknik. Bien në sy gjobat e majme ndaj Flamurtarit, jo vetëm ekipit të parë, por edhe të rinjve e paratërinjve. Po ashtu, pezullim është marrë edhe për trajnerin e kuqezinjve të Vlorës, Shpëtim Duro. Për dy javë, ai nuk do të lejohet të drejtojë skuadrën në stol, duke nisur nga çerekfinalja e sotme e Kupës së Shqipërisë, ndaj Partizanit, në “Selman Stermasi”. Interesant është fakti se edhe ndihmësi i Duros është i dënuar, ndaj mbetet të shihet se kush do t’i udhëzojë bregdetarët gjatë lojës. Pasi analizoi gjithçka, ky organ juridik i Federatës së Futbollit mori tërë këto vendime:
1. Shpëtim Duro, për sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të “fair-play”, duke fyer zyrtarin e ndeshjes gjatë konferencës për shtyp, pas Kukësi-Flamurtari, pezullohet 2 ndeshje dhe gjobitet me 100.000 lekë gjobë.

2. KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, gjobitet në masën 100.000 lekë (të rinj).
3. FC “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, gjobitet në masën 100.000 lekë.
4. KF “Lushnja”, për sjellje të gabuar të spektatorëve të saj në ndeshje kundër KF “Vllaznia” dhe për përsëritje të kësaj shkeljeje disiplinore, dënohet me 1 ndeshje pa tifozë në fushën përkatëse.
5. Lojtari i KF “Tirana”, Tonny Mawejje, për sjellje josportive ndaj lojtarit kundërshtar, pezullohet 2 ndeshje nga aktiviteti.
6. Lojtari i KF “Naftëtari”, Aleksander Jaupi, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, pezullohet 4 ndeshje nga aktiviteti.
7. Lojtari i KF “Maliqi”, Mirald Zacellari, për pështyrje ndaj zyrtarit të ndeshjes, pezullohet 24 muaj nga aktiviteti.
8. KF “Maliqi”, në rast të përsëritjes së shkeljes disiplinore, do të jetë subjekt i dënimeve që parashikon Kodi i Displinës Sportive.

9. Lojtari i KF “Domosdova”,Paolo Kukli, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, Pezullohet 4 ndeshje nga aktiviteti.
10. Lojtari i KF “Porto” U-19, Akileu Ndreca, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, pezullohet 2 ndeshje nga aktiviteti.
11. Lojtari i “S.SH.Pepa”, Mikel Zogu, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, pezullohet 4 ndeshje nga aktiviteti.
12. FC “Flamurtari” U-19, për sjellje të gabuar të spektatorëve, gjobitet në masën 100.000 lekë. Në aplikim të Nenit 136 të KDS, gjoba paguhet në masën 3%.
13. Lojtari i KF “Skënderbeu” U-17, Jurgen Beqiri, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe kundërshtarit, pezullohet 8 ndeshje nga aktiviteti.

14. FC “Flamurtari” U-17, për sjellje të gabuar të spektatorëve, gjobitet në masën 100.000 lekë. Në aplikim të Nenit 136 të KDS, gjoba paguhet në masën 3%.
15. KF “Burreli” U-17, për aktivizim të lojtarit që nuk kishte të drejtë të luante, e humbet ndeshjen (3-0) në tavolinë me KF “Beslidhja” U-17, si dhe zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi dhe gjobë në masën 600.000 lekë. Në aplikim të Nenit 136 të KDS, gjoba paguhet në masën 3%.
16. Pranimin e kërkesës së lojtarit të FK “Shënkolli”, Klaudio Pjetrushi, dhe pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Pjetrushi vendoset në provë për një periudhë 6-mujore.
17. Rrëzimin e kërkesës së KF “Besëlidhja”, si të pabazuar në dispozitat e Kodit të Disiplinës Sportive dhe Rregullores së Veprimtarisë Futbollstike.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar