• Ditmar Bicaj, sytë nga merkatoja jashtë Shqipërisë

    Publikuar: 28 Dec 8:42

    Nga Vllaznia, përveç Hoxhës dhe Weitzer, të larguar tashmë, mund të ketë edhe një tjetër futbollist që t’i japë lamtumirën. Bëhet fjalë për mbrojtësin shtatëlartë, Ditmar Bicaj. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se lezhjani është në kontakt me disa ekipe të huaja, me të cilat po bisedon për mundësinë e transferimit gjatë merkatos së janarit, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Bicaj erdhi në verë te skuadra shkodrane, por mund të largohet prej saj, sepse në kontratën me të ka edhe një pike, në të cilën thuhet se lojtari mund të largohet në gjysmën e sezonit, nëse ka një ofertë më të mirë jashtë vendit.

    Bicaj flet per mediat te Vllaznia

    Kësisoj, stafi teknik i kuqebluve nuk mund të jetë i qetë, sepse nuk ka shumë siguri nëse 27-vjeçari do të qëndrojë apo jo. Aktualisht, Vllaznia ka tri alternativa për dy vendet e qendrës së mbrojtjes: Bicajn, Cicmil dhe Vrapi. Njëri nga ato shpeshherë ka qëndruar në stol, megjithatë ka qenë i nevojshëm në raste dëmtimesh apo kartonash. Kësisoj, nëse lezhjani do të largohet në janar, ende nuk dihet nëse drejtuesit shkodranë do të hyjnë në merkato për të gjetur zëvendësuesin e tij apo do ta “shtyjnë” gjysmën e dytë të sezonit me atë kontigjent lojtarësh që kanë. Gjithsesi, Bicaj është sërish pjesë e ekipit dhe nuk ka akoma asnjë gjë zyrtare për largimin e tij.


    Lexo postimet e tjera