Tenis

Djokovic bën “mea culpa”: Duhej të isha ndalur kohë më parë

Novak Djokovic ka nisur prej një jave pushimet e gjata, duke mbyllur para kohe sezonin për shkak të dëmtimit në bërryl, por tenisti serb shprehet se këtë gjë duhej ta kishte bërë kohë më parë. Ndoshta që para një viti (2016), kur dhe nisën problemet e para. “Vjet realizova ëndrrën pas fitores në Roland Garros dhe nuk duhej të sforcohesha më aq shumë. Ndihesha i lodhur, por vendosa të luajta në Ëimbledon dhe këtu situata u përkeqësua. Por ishte viti i Lojërave Olimpike dhe doja të isha me çdo kusht, ndaj nuk e mora vendimin e tërheqjes. Për fat të keq, gjërat rrodhën shumë shpejt dhe u dëmtova në pulsin e dorës, duke humbur edhe entuziasmin. M’u deshën 3-4 muaj për të rigjetur disi veten. Megjithatë, nuk ndjej keqardhje për asgjë”, tha sot Novak Djokovic.

Tenisti serb Novak Djokovic i demtuar

Serbi do të rikthehet në fushë vitin tjetër, por që tani Djokovic ka mall për fushën e tenisit. “Argëtohem duke luajtur, pasi tenisi është dashuria dhe pasioni im. Më pëlqen të luaj me djalin tim. Vjet më humbi disi kjo ndjesi për tenisin, por tani mendoj se e kam rigjetur atë dashuri. Ndaj, mezi po pres që të luaj sërish”, deklaroi Djokovic, që shtoi se nuk ka menduar për asnjë moment tërheqjen përfundimtare nga ky sport. “Nuk e shoh fundin e karrierës time. Ndaj, prisni një rikthim të fuqishëm vitin tjetër, do të luaj më shumë ndeshje. Do të zbres në fushë që javën e parë të 2018-ës, në turnetë e parë dhe do të përgatitem për Australian Open. E di që rikthimi do të jetë i vështirë, por nuk më tremb ky fakt”, u shpreh tenisti serb, që prej disa ditësh ndodhet në vendlindje.

Më shumë nga Tenis