Tenis

Djokovic: Entuziast për të ardhmen, staf i ri dhe objektiva të rinj

Përmes një interviste të dhënë sot për mediat serbe, tenisti Novak Djokovic ka rrëfyer se përse ka zgjedhur si trajner çekun Radek Stepanek, që u tërhoq nga sporti këtë vit në moshën 37-vjeçare. “Është një nga miqtë e mi më të ngushtë dhe me të cilin qëndroj më shumë kur jam në turne. Gjithnjë më ka tërhequr vendosmëria e tij, pasioni dhe dashuria për tenisin”, tha Djokovic, që më tej shtoi: “Ka përvojë dhe njohuri të mira, ka luajtur në nivele të larta për shumë vite. Jam i kënaqur që do të bashkoj forcat me të, me një ekip të ri që më mbështet”.

Djokovic me trajneri Andre Agassi

Tenisti serb konfirmoi edhe një herë se Andre Agassi do ta shoqërojë vetëm në 4 grand sleme si dhe në disa turne të tjerë, por vështirë se amerikani do të udhëtojë në Montekarlo, ku jetojnë Djokovic e Stepanek. “Radek e mora si trajner edhe pas këshillës së Andre, ndaj jam i bindur se ata të dy do të punojnë mirë së bashku. Sezoni i ri është në prag dhe më pret një rrugëtim i gjatë. Jam i vetëdijshëm se do t’i bëj hapat një e nga një, pa u nxituar. Tani ndihem më mirë dhe entuziast për t’u rikthyer, për të arritura objektiva të rinj”, tha Djokovic.

Më shumë nga Tenis