Tenis

Djokovic: Nuk jam në formën optimale, por do të tentoj surprizën

Tërheqja nga turnetë e Abu Dhabit dhe Dohës bëri që e ardhmja e Novak Djokovic të ishte në dyshim, me serbin që e kishte të pasigurtë praninë e tij në grand slemin e Australian Open që nis ditën e hënë. Por duket se situata është përmirësuar gjatë kësaj jave dhe ish-numri 1 në botë është gati të luajë ditën e martë ndaj Donald Young. “Nuk jam ende në 100% të formës, por jam në një nivel të mjaftueshëm për të luajtur dhe situata përmirësohet dita-ditës. Ky dëmtim nisi dy vite më parë dhe tani vuaj pasojat e tij. Nuk dua të ankohem se humbas prej dëmtimit, pasi punoj për të luajtur dhe fituar sa më shumë”, tha Djokovic.

Tenisti serb Novak Djokovic

Tenisti serb do të kërkojë të thotë fjalën e tij në këtë turne pas disa muajsh pushim. “Kam qëndruar më shumë me familjen dhe fëmijët e mi më motivojnë. Mendoj se gjërat në jetë ndodhin për një arsye dhe kjo është e bukura e saj. Konkurrenca këtë vit është e madhe, me Nadal e Federer që kanë treguar se mund të bëjnë gjëra të mëdha. Mosha është thjesht një numër, sidomos në rastin e Roger, që mbetet një shembull i madh”, tha serbi, që ka ndryshuar staf. “Kohët e fundit kam punuar me Radek dhe Agassi. Jam i vetëdijshëm se nuk jam në maksimum, por kam besim në forcat e mia dhe se mund të përballem me më të mirët”, tha Djokovic.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Tenis