Tenis

Djokovic shtyn rikthimin: Nuk rrezikoj, në fushë kur të jem gati

Tenisti serb Novak Djokovic vijon në Montekarlo periudhën e rehabilitimit pas operacionit të kryer një javë më parë në bërryl, me shpresën që të rikthehet në fushë sa më parë të jetë e mundur. Pas një muaji nisin turnetë e parë Masters, në Indian Wells dhe Majemi, aty ku ish-numri 1 në botë synon të luajë pas eliminimit nga Australian Open edhe pse mund të mos jetë në gjendjen optimale. Ndaj, Djokovic shprehet se nuk do të sforcojë veten pas operacionit dhe se do të rikthehet në fushë vetëm kur të jetë në 100% të formës, për të evituar ndonjë problem tjetër fizik.

Tenisti serb Novak Djokovic

Dëshira për t’u rikthyer në fushë është e madhe, por nuk kam ndërmend të sforcohem. Dua t’i bëj gjërat me kujdes, por entuziasmi nuk më mungon. Po punojmë fort bashkë me stafin për të qenë gati sa më shpejt dhe synojmë që të jemi pas një muaji në turnetë e parë Masters. Por do të vendosim pasi të shohim se si do të shkojë rehabilitimi dhe stërvitja. Shpresoj që së shpejti të nis të përgatitem në fushë, duke luajtur nga pak tenis”, u shpreh serbi Novak Djokovic, që u rikthye në janar në fushë pas 6 muajsh pushim, por pa shkëlqyer dhe u eliminua në raundin e 4-t të Australian Open.

Më shumë nga Tenis