• Donnarumma: Shpresoj të qëndroj, Milani është çështje zemre!

    Publikuar: 20 Mar 10:09

    Përkundër deklaratave të rënda të Mino Raiola kundër pronarëve të rinj të mundshëm të Milanit, e ardhmja e Gianluigi Donnarumma duket se do të vazhdojë të jetë mbrojtës i ngjyrave kuqezi. Portieri i Milanit, në fakt, i intervistuar nga “Sport Mediaset” në stacionin e Firences, para se të arrijë në “Coverciano”, në grumbullimin me kombëtaren, përsëriti: “Unë shpresoj të qëndroj, sepse e kam zemrën milaniste”. Lidhur me rinovimin e kontratës, që i skadon në vitin 2018, megjithatë, Donnarruma sqaroi: “Për këtë do të mendojë agjenti im.” Mino Raiola, para se të ulet në tryezë për rinovimin e klientit të tij, dëshiron të kuptojë nga bashkëbiseduesit se cili do të jetë fati i Milanit.

    Ndërkohë, Donnarumma ka hedhur poshtë polemikat e pasndeshjes me Juventusin dhe siguron se gjithçka është në rregull me shokët e kombëtares, që vijnë nga bardhezinjtë: “Asgjë nuk ka ndodhur, ishte vetëm një moment pak i dehur, për shkak të humbjes në fund. Nuk ka asgjë për të sqaruar”. Juventusi, megjithatë, sipas thashethemeve të merkatos, do të jetë në mesin e klubeve më të interesuara për Donnarumma, së bashku me Real Madrid. Prioritet, megjithatë, të paktën deri më tani, është Milani. Sepse zemra e portierit 18-vjeçar rreh për ngjyrat kuqezi.


    Lexo postimet e tjera