Nations League

Dopieta e Griezmann ndëshkon Gjermaninë si kurrë më parë

Franca ka përmbysur gjithçka në pjesën e dytë duke mposhtur Gjermaninë me rezultatin 2-1 në Stade de France të Parisit. Një tjetër disfatë zhgënjyese për gjermanët të cilët nuk lëvizin nga vendi i fundit i grupit 1 të League A. Ndërkohë Franca kryeson grupin me shtatë pikë nga tri ndeshje. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që Gjermania të humbiste gjashtë ndeshje në një vit kalendarik.

Gjermania, pas kritikave të shumta nga shtypi vendas, e nisi me këmbën në gaz ndeshjen për të treguar se nuk do të dorëzohet aq lehtë. Dhe Toni Kroos kalon miqtë në avantazh në minutën e 14’ pas një penalltie të shkaktuar nga Kimpembe i cili preku topin me dorë brenda zonës. Gjermanët nuk e ulin ritmin dhe kanë dy mundësi të mira me Werner dhe Ginter por të dy tregohen të pasaktë ndërkohë që duhet t’i kishin shfrytëzuar më mirë ato mundësi të mira. Franca nuk ishte në nivelin e duhur në pjesën e parë por ndryshon mentalitet pas pushimit. Ishte Mbappe i pari që rrezikoi portën e Neuer, por goditja e tij ishte qendrore.

Në minutën e 62’ erdhi goli i barazimit nga Antoine Griezmann i cili lëshon një goditje të pandalshme me kokë nga brenda zonës. Ndeshja në pjesën e dytë është më e barabartë teksa të dyja skuadra kanë mundësitë e tyre për të shënuar. Por janë vendasit ata që arrijnë të shënojnë përsëri.

Ishte një faull i dyshimtë brenda zonës i shkaktuar nga Hummels ndaj Matuidi, por kjo nuk do t’i interesojë shumë Francës, me Griezmann që nuk fal nga pika e bardhë. Në minutat e mbetura Franca arriti të menaxhojë mirë rezultatin duke marrë një fitore të rëndësishme.

Ndërkohë Uellsi është rikthyer te fitorja duke mposhtur Irlandën me rezultatin 1-0 falë golit të Wilson. Skuadra e Giggs është ngjitur në vend të parë me një ndeshje më shumë se Danimarka, ndërsa Irlanda mbetet në fund të grupit 4 të League B.

Ukraina ka marrë fitoren e tretë në po aq ndeshje teksa ka mposhtur Republikën Çeke me rezultatin 1-0. Të besuarit e Shevchenkos kryesojnë grupin 1 të League B.

Në grupin 3 të League C, Norvegjia ngjitet në krye pasi mposhti Bullgarinë 1-0,ndërsa Qipro dhe Sllovenia kanë ndarë nga një pikë në barazimin 1-1. Ky është një nga grupet më të fortë të Ligës së Kombeve.

Gjibraltari ka fituar 2-1 me Lichtenstein në grupin 4 të League D. Ndërsa Letonia është mposhtur brenda nga Gjeorgjia me rezultatin 3-0, me gjeorgjianët që kanë katër fitore në po aq ndeshje në grupin 1 të League D.

Më shumë nga Nations League