Kampionati Shqiptar

Dorëhiqet administratori Astrit Gjyrezi, nisin spastrimet te Vllaznia

Ka ardhur dorëheqja e parë në drejtimin e Vllaznisë, pas rënies së skuadrës kuqeblu në Kategorinë e Parë. Eshtë administrator Astruit Gjyrezi, ai që ka marrë përgjegjësinë e tij mbi supe, duke “hapur krahun”. Gjë të cilën pritet ta bëjnë edhe drejtues të tjerë. Ja deklarata e dorëheqjes së Gjyrezit:

“Pas dy vitesh e pak muajsh në krye të Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a, kam vendosur te largohem nga posti i administratorit. Por, para se të largohem, do të mundohem që shkurtimisht të paraqes para jush atë çfarë unë kam bërë gjatë kësaj periudhe në krye të klubit.

Jam emëruar në postin e administratorit të KF Vllaznia sh.a në janar të vitit 2016. E kam gjetur klubin me jo pak probleme financiare, por edhe administrative. Puna e parë që kam bërë, ka qenë strukturimi i ri i klubit. Besoj se sot në këtë aspekt, KF Vllaznia funksionon shumë herë më mirë sesa ka qenë më parë. Në anën juridike dhe ekonomike kemi zbatuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Pa dyshim që klubi, gjatë gjithë kësaj periudhe, është shoqëruar me probleme financiare, kryesisht edhe të viteve të mëparshme, të cilat shpeshherë kanë qenë duke na penalizuar edhe në ecurinë sportive, megjithatë ia kemi dalë t’i suportojmë me sukses, në mënyrë që Vllaznia të mos e pësonte me zbritje pikësh.

Në aspektin sportiv, në postin e administratorit jam munduar që gjatë gjithë periudhës së punës time të lejoj autonominë e stafit teknik, si specialistë të mirëfilltë të fushës. Në bashkëpunim me to, jam munduar gjithmonë t’ua plotësoj brenda mundësive që kemi patur, të gjitha kushtet, si për merkaton, fazët përgatitore, bazën materiale, grumbullimet, transportin, hotelerinë etj.

Falënderoj çdo tifoz që na mbështeti pa kushte në çdo moment të vështirë që ekipi kishte. Gjithashtu, uroj sa më shpejt rikthimin e Vllaznisë në elitën e futbollit shqiptar”.
 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar