• Dorëzohet edhe Nadal, eliminohet nga turneu i Romës

    Publikuar: 19 May 6:51

    Pas tri turneve radhazi të mbyllura me fitore, në Montekarlo, Barcelona dhe Madrid, tenisti Rafael Nadal është detyruar të ngrejë sot “flamurin e bardhë” në turneun Masters të Romës. Spanjolli u mund 2-0 (6-4, 6-3) nga austriaku Dominic Thiem në çerekfinale, që u hakmorr për humbjen e 5 ditëve më parë, në finalen e Masterit të Madridit. Edhe pse Nadal u përpoq të mbijetojë dhe të fitojë, sot e kishte të pamundur ndaj Thiem, që e meritoi fitoren, duke avancuar në gjysmëfinale. Spanjolli dukej i lodhur dhe pa forcën e duhur, diçka normale pas tri turneve të luajtura deri në finale dhe fituara si dhe me pak ditë pushim.

    Tenisti Rafael Nadal ne turneun masters te Romes

    Thiem dukej më i freskët dhe nuk përsëriti gabimet e pak ditëve më parë, duke treguar një formë të mirë dhe e meritoi fitoren. Spanjolli edhe pse luante në sipërfaqen e tij të preferuar, fushën me dhè, këtë herë nuk ishte aq i kthjellët në lojën e tij, duke bërë mjaft gabime dhe nuk kishte forcën e duhur në shërbime. Gjithsesi, Nadal konfirmohet si pretendent për grand slemin e Roland Garros, që nis pas 10 ditësh, kohë të cilën ai do ta shfrytëzojë për të rikuperuar energjitë. Thiem, në gjysmëfinale, do të përballet me fituesin e takimit mes Djokovic e Del Potro, ndërsa ndeshja tjetër gjysmëfinale për meshkuj është ajo mes Zverev dhe Isner.

    [interaction id=”57599de4245d1126131d41d6″]


    Lexo postimet e tjera