Champions League

Dortmund-Real Madrid, shifrat dhe faktet e super sfidës

Borussia Dortmund do të presë Real Madrid në “Signal Iduna Park”. Një ndeshje kjo që do të jetë e vlefshme për javën e dytë të Champions League. Verdhezinjtë kanë humbur 3-1 ndeshjen e parë të Grupit H kundër Tottenham. Në atë ndeshje verdhezinjtë kanë pësuar tre gola në kundërsulm, duke bërë disa gabime të pafalshme. Në kampionat, lojtarët e Bosz kanë marrë një fitore të thellë 6-1 kundër Borussia Monchengladbach.

6 NDESHJE

Dortmund nuk ka humbur asnjë nga ndeshjet e luajtura në shtëpi kundër Real Madrid: 3 fitore, 3 barazime

Real Madrid e ka nisur mbrojtjen e titullit në Champions League me një fitore 3-0 të marrë në javën e parë kundër APOEL. Për sa i takon kampionatit spanjoll, ekipi i Zinedine Zidane ka arritur të marrë një fitore të vuajtur 2-1 në transfertë kundër Alaves.

19 HUMBJE

Madrilenët kanë marrë vetëm 5 fitore në 31 ndeshjet e luajtura në Gjermani, duke humbur plot 19

Këto dy skuadra kanë luajtur kundër njëra-tjetrës në fazën me grupe të sezonit të kaluar të Champions League. Të dy ato përballje janë mbyllur në barazim 2-2. Sulmuesi i verdhezinjve, Pierre-Emerick Aubameyang, ka shënuar gol në të dy ato takime. Në total, këto dy ekipe janë ndeshur 12 herë në Champions League, me Real Madrid që kryeson me 4 fitore kundër 3 të Dortmund, ndërsa 5 ndeshjet e tjera javën mbyllur në barazim. Borussia nuk ka humbur asnjë nga ndeshjet e Champions League të luajtura në shtëpi kundër Real Madrid. Në gjashtë përballjet e zhvilluara në “Signal Iduna Park” kanë ardhur 3 fitore për verdhezinjtë dhe 3 barazime. Gjithashtu, Dortmund ka një ecuri pozitive në ndeshjet e luajtura në shtëpi kundër skuadrave spanjolle. Në 10 ndeshje ata kanë marrë 7 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. Nga ana tjetër, Real Madrid nuk ka një ecuri të mirë në ndeshjet e luajtura në Gjermani. Madrilenët kanë marrë vetëm 5 fitore në 31 ndeshje, duke humbur plot 19. Gjithsesi, ata kanë arritur ta thyejnë tabunë në çerekfinalen e sezonit të kaluar, duke fituar 2-1 në shtëpinë e Bayern Munich.

Formacionet e mundshme

Borussia Dortmund (4-3-3): Bürki; Piszczek, Sokratis, Toprak, Zagadou; Castro, Sahin, M. Götze; Yarmolenko, Aubameyang, Philipp.

Real Madrid (4-3-3): Navas; Carvajal, Varane, Ramos, Nacho; Isco, Casemiro, Modric; Asensio, Bale, Ronaldo.

 

Më shumë nga Champions League