Bundesliga

Dortmundi në finalen e Kupës, përmbys 3-2 Bayern-in

Kjo nuk pritej! Të paktën jo kështu! Borussia Dortmund sonte mposhti 3-2 Bayern-in në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë në 90 minuta spektakolare dhe me lojë të shkëlqyer. Skuadra e teknikut Thomas Tuchel ishte në disavantazh 2-1 në pjesën e parë, por 45′ e dyta folën tërësisht për të. Golin e parë e shënuan verdhezinjtë me yllin e tyre Marco Reus, i cili në të 19′ shfrytëzoi një gabim të mbrojtësit Javier Martinez dhe hapi ndeshjen. Spanjolli, megjithatë, e korrigjoi veten në të 28′, duke shënuar një gol me kokë pas një korneje. Kështu, Bayern u rikthye në ritmin e minutave të para, derisa në të 41′ përmbysi me golin e shënuar nga Mats Hummels. Goli qe spektakolar, me mesfushorin Franck Ribery i cili gjeti bukur gjermanin në zonë dhe ky i fundit gjuajti sikur të ishte një sulmues i pastër.

https://www.youtube.com/watch?v=XZ4_DN-L-_4

Në pjesën e dytë ndodhi e paimagjinueshmja! Borussia Dortmund u tregua spektakolare dhe besimplotë për ta mbyllur ndeshjen me fitore dhe ia arriti. Në të 69′, me Bayern-in që humbte plot raste të pastra, Pierre-Emerick Aubameyang shënoi golin e barazimit duke shokuar bavarezët. Stadiumi “Allianz Arena” heshti, si duke kuptuar se pas pak minutash do të ndodhte përmbysja e dytë brenda një takimi. Në të 74′, Marco Reus me lëvizjet e tij hipnotizuese gjeti talentin Ousmane Dembele në krahun e djathtë të zonës së Bayern-it dhe ky i fundit harkoi topin direkt e në trekëndëshin tjetër të portës. 2-3! Verdhezinjtë ia dolën dhe tashmë kanë mundësinë për ta mbyllur sezonin të paktën me trofeun e Kupës së Gjermanisë, nëse mposhtin në finale E. Frankfurt-in.

 

 

Më shumë nga Bundesliga