Moto GP

Dovizioso: I kënaqur nga Misano, Botërori është ende i gjatë

Andrea Dovizioso ka mbetur i kënaqur nga gara e fundit e zhvilluar në pistën e Misano, ku piloti italian i Ducati u rendit i treti, mori 16 pikë dhe qëndron në krye të renditjes, të cilin e ndan bashkë me Marc Marquez. Të dy pilotët kanë nga 199 pikë dhe duket se do të nisin një sfidë të fortë për titullin kampion në Moto GP. “Isha pranë dy të parëve, por nuk doja të rrezikoja, pasi pista ishte e lagur dhe mund të përfundojë jashtë saj në çdo moment. Kjo ishte një garë ku e rëndësishme ishte të bëje pikë dhe jo të gaboje. Kampionati është ende i gjatë, ndaj ky podium në Misano është i rëndësishëm”, u shpreh piloti italian.

Dovizioso e Marquez ne duel

Piloti i Ducati bëri një garë të qetë, pa guxuar në asnjë moment të sulmojë si fituesin Marquez ashtu dhe pilotin tjetër italian Danilo Petrucci, që u klasifikua i dyti. “Mora 16 pikë, ndërkohë që mund të përfundoja me 0 pikë, ashtu si shoku im i skuadrës (Jorge Lorenzo, u rrëzua kur kryesonte garën). Nëse kjo garë do të vendoste fatin e Botërorit sigurisht që do të guxoja diçka më shumë, por ka ende gara deri në fund. Në kushtet që ishte pista të mos rrezikoja, por të grumbulloja pikë ishte vendimi më i mirë”, deklaroi Andrea Dovizioso, që synon titullin e parë kampion në Moto GP.

Më shumë nga Moto GP