Kampionati Shqiptar

Drejtori i Partizanit: Lojtarët e rinj duan kohë për t’u përshtatur

Drejtori Sportiv i Partizanit, Antonello Preiti, ka folur në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH. Ai tha se Teuta i vuri në vështirësi dhe penalltia ishte. Po ashtu, Preiti tha se Skënderbeu është ekipi më i mirë për momentin në Superiore. Ai e nënvizoi punën e mirë në vazhdimësi, që bëhet tek ekipi korçar. Pyetjes nëse Partizani ka dështuar në lidhje me afrimet e Selvaggio-s, Shahinasit dhe Herrera-s, të cilët ende nuk janë përfshirë intensivisht me skuadrën në ndeshjen e luajtura gjatë këtij fillimsezoni, drejtori sportiv i Partizanit iu përgjigj: “Futbollistëve të afruar në merkaton e verës iu duhet dhënë kohë që të përshtaten. Selvaggio dhe Shahinas janë lojtarë të rinj, sepse janë të datëlindjes ’96. Ne ishim të vetëdijshëm që, edhe pse afruam Selvaggio-n, titullar do të ishte Fejzullahi.

Shahinas është lojtar i talentuar, sepse është formuar në akademitë e futbollit italian. Për Herrera-n jam dakord, sepse ende nuk ka spikatur. Por, mesa kam parë, ai nuk ka asgjë më pak se Torrasa, i cili ishte vjet te Partizani. Gjatë karrierës sime në fushën e futbollit kam pasur eksperienca si me Cuadrado-n, të cilin e mora te Udinese dhe më pas e huazuam në Seria B. Më pas e shitëm për 40 milionë euro. Po ashtu edhe Paletta, kur e mora nga Argjentina, ai nuk luajti fare për 6 muaj në Seria A. Më pas eci shumë, duke shkuar deri te Milani. Ndaj them se edhe lojtarët duan ndonjëherë kohë për t’u përshtatur”. Ai u pyet, po ashtu, edhe për sulmuesin Sowe. “Po, Sowe na është ofruar neve më parë. Por, gjithashtu, trajnerin e trembi bari sintetik, i cili mund t’i sillte probleme gjatë stërvitjes”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar