Futboll

Drejtori Sportiv më i mirë në Serinë A, Igli Tare kryeson sondazhin

Drejtori Sportiv më i mirë në Serinë A, Igli Tare kryeson sondazhin

Sukseset e Lazios në vitet e fundit, në aspektin menaxherial, i dedikohen Drejtorit Sportiv të ekipit, shqiptarit Igli Tare. Ish-sulmuesi dhe kapiteni i ekipit tonë Kombëtar, është duke u konfirmuar nga dita në ditë si një nga drejtuesit më të mirë të futbollit në Itali. Këtë gjë e ka vënë në pah edhe një sondazh i kryer së fundi nga e përditshmja italiane “Corrireredelosport”, e cila ne faqen zyrtare të saj ka hapur një sondazh, ku fton lexuesit të votojnë emrin e Drejtorit Sportiv më të mirë në Itali.

Igli Tare është duke kryesuar këtë sondazh të gazetës së njohur sportive në Itali, ku deri tani renditet i pari me 17% të votave, duke lënë pas Fabio Paratici te Juventus apo Cristiano Giuntoli te Napoli. Vlerësimi i tifozëve për Igli Taren vjen në një kohë që ekipi i Lazios ka njohur një rritje të ndjeshme cilësore në aspektin e lojës dhe rezultateve në vitet e fundit.

Ky sukses vjen pikërisht nga lojtarë cilësorë që ka afruar Igli Tare në skuadër, të cilët jo vetëm kanë rezultuar të duhur, por suksesi i tyre me Lazion ka bërë që vlera e kartonit të tyre të shkojë në dhjetra milionë euro më shumë se sa vlera kur janë afruar në ekip. Pak para mbylljes së vitit 2017 Igli Tare u shpall Drejtori Sportiv më i mirë i vitit në Itali nga “Tuttomercatoweb”, një vlerësim që sërisht erdhi pas votimit të tifozëve.

Më shumë nga Futboll