• Duka-Partizani, përplasja vazhdon edhe në Asamble

    Publikuar: 15 Mar 12:33

    Sot u zhvilluan punimet e Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së, ku, si përherë, gjithçka kaloi me ngritje dore nga anëtarët e këtij organi. Disa prej tyre munguan fare, ndërkohë të tjerët vetëm nuk ngritën shqetësime e problem. Dy ishin klubet e vetme, që bënë njëlloj përjashtimi nga rregulli. Partizani, i përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Genc Tomorri, ka mohuar që situata të jetë kaq e ndritshme, sa bëhet në raportin vjetor të presidentit Armand Duka, ndërkohë që ka ndaluar në aspekte konkrete, ku duhet ndërhyrë për rregullim. Thënë ndryshe, lufta mediatike e kohëve të fundit mes klubit 15 herë kampion të vendit dhe FSHF-së ka vijuar edhe në këtë asamble. Tomorri, mes të tjerash, ka pohuar:

    “Nuk mendojmë se gjërat shkojnë aq vaj, sa thoshte presidenti Duka në raportin 1-vjeçar të punës, mes dy asambleve. Po ndalem fillimisht te puna e organeve juridike, Komisioni i Disiplinës, ai i Apelit dhe Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve. Këtu mendoj se ka mangësi. Ne si klub sugjerojmë që të ngrihet edhe një shkallë tjetër gjykimi, siç mund të jetë Komisioni i Arbitrazhi, i cili të funksionojë jashtë çatisë së FSHF-së, i pavarur. Kjo gjë ndodh në disa vende europiane me futboll të zhvilluar. Mundësia aktuale, shkuarja në CAS-in e Lozanës, është praktikisht e pamundur për klubet shqiptare, qoftë nga shpenzimet ekonomike, por edhe pengesa të tjera. Komisioni i Arbitrazhit duhet të jetë i pavarur nga federata, le të financohet nga vetë klubet. Po ashtu, ne vlerësojmë se mbi trukimet në futbollin tonë duhet të ketë më tepër vëmendje.

    Eshtë fakt se çështjet e trukimeve në futbollin shqiptar ka marrë përmasa ndërkombëtare tashmë, por këtu nuk gjen një raport për këtë. Çështja është bërë ndërkombëtare për ekipe të caktuara, por çuditërisht nuk gjejmë pasqyrim konkret në raport, asgjë për luftën që duhet bërë ndaj këtyre fenomeneve. Në çdo asamble përmendet se ka rënë ndjeshëm trukimi, por e vërteta që vjen nga jashtë flet krejt ndryshe. Meqë në raport nuk paraqitet asgjë, kërkojmë riformatimin e Komisionit të Etikës, sepse nuk po e kryen detyrën në këtë drejtim. Gjithashtu, jemi dakord që të rritet niveli i bashkëpunimit mes FSHF-së dhe klubeve të futbollit, por deri më tani nuk shohim angazhim e seriozitet institucional. Shitja e të drejtave televizive duhet të bëhet në bashkëpunim me klubet. Konstatojmë edhe mungesë transparence për fondin e solidaritetit të UEFA-s, që dedikohet për klubet”.

    Ka qenë i menjëhershëm reagimi i presidentit Duka: “Shumë nga fjalët e thëna nga zoti Tomori ishin të pavërteta dhe në disa raste edhe abuzive. Transparenca financiare bëhet në asamble. Shpenzimet e audituara bëhen publike në asamble. Të ardhurat nga fondi i solidaritetit janë të paraqitura në asamble. Statuti parashikon gjithçka më sipër. Nëse anëtarët duan që të bëhet një pasqyrim mujor, duhet të ndryshojë statute. Nuk është e vërtetë që administrata e FSHF-së nuk punon për të shmangur dhunën dhe garantuar mbarëvajtjen e garës. Klubet duhet të bashkëpunojnë më shumë me FSHF-në për të përmirësuar garën. Duhet të parandalojmë fenonimin e dhunës, edhe pse në Shqipëri nuk ka huliganizëm”.


    Lexo postimet e tjera