FSHF

Duka: “Rivali Fino? Uroj të mos jetë një nismë politike”

Vetëm pak minuta përpara se Bashkim Fino të zyrtarizonte kandidaturën e tij për postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kreu aktual i institucionit më të lartë futbollistik në Shqipëri ka folur për garën dhe fushatën përballë një personazhi me sfond kaq të thellë politik. Në fjalën e tij, Duka uroi që kandidimi i Finos të mos ishte me prapavijë politike, apo si një kandidat i propozuar nga Partia Socialiste, por si një kandidim personal.

“Unë jam i prirur të mendoj gjithmonë pozitivisht dhe në këtë rast dua të mendoj pozitivisht. Besoj se nisma është një nismë private, e një individi të cilin unë e njoh, ashtu sikurse e njohin të gjithë sepse është një personazh i jetës publike shqiptare. Një ish-kryeministër, deputet i Partisë Socialiste, madje edhe Sekretar Organizativ i saj. Gjithsesi unë do të doja ta shikoja jo si një nismë të Sekretarit Organizativ të PS-së, por si nismë e Bashkim Finos dhe disa shokëve të tij që e mbështesin. Duhet ta shoh dhe dua ta shoh kështu këtë garë deri në fund”, u shpreh presidenti i FSHF, Armand Duka.

“E konsideroj si një nismë pozitive, një dëshirë e tij për të kontribuar dhe për të dhënë eksperiencën e tij për menaxhimin e një institucioni, atij më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri. Unë nuk mund të parashikoj ndërhyrjen ose jo të rrymave politike, por thashë atë që unë dëshiroj të mendoj. Unë dëshiroj të mendoj që do të jetë një garë sportive, një garë alternativash, një garë për të dhënë më të mirën për komunitetin e futbollit. Se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, duhet të presim e të shohim”, deklaroi Duka.

Më shumë nga FSHF