Futboll

Duro: Me Kastriotin duam vetëm fitore, s’kam presion nga drejtuesit

Përballja me Kastriotin ditën e shtunë, është ndeshja e parë në Superligë për Klodian Duron si trajner i Kamzës, pas fitores në Kupë ndaj Besës. Në konferencën e zhvilluar një ditë përpara sfidës me krutanët, ai është shprehur se skuadra e tij do të zbresë në fushë për të marrë vetëm pikët maksimale e ndërsa nuk ka nguruar që të vlerësojë punën e paraardhësit e tij, duke theksuar se e ka gjetur ekipin në një formë shumë të mirë.

“Do të vazhdojmë rrugën tonë si në ndeshjen për Kupë. Unë jam shumë i qetë, do të kërkojmë që të marrim pikët maksimale. Gjeta një ekip në një formë shumë të mirë, jam i kënaqur nga futbollistët, impenjimi i tyre, por edhe nga drejtuesit e klubit”, u shpreh Duro.

Pyetur nëse është nën presion nga drejtuesit e klubit për rezultate pozitive, nisur nga fakti që Devolli u shkarkua pas dy humbjeje, 40-vjeçari ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se ndihet shumë i qetë. Madje ai ka vlerësuar se një presion i tillë,   edhe pse sipas tij nuk ekziston, ndonjëherë është i nevojshëm.

“Unë nuk kam aspak presion. Madje do doja të kisha presion, sepse ndonjëherë jep rezultate, por s’kam, unë jam shumë i qetë”, përfundoi Duro.

Më shumë nga Futboll