Connect with us

Kampionati Shqiptar

Duro: Ndeshjet ndaj Laçit nuk fitohen me lojtarë të frikësuar

Shpëtim Duro ka luajtur ndeshjen e pestë si trajner i Flamurtarit, por s’e ka gjetur ende fitoren e parë. Madje, pas disfatës së sotme në Laç, ka zbritur në vendin e parafundit. Duke analizuar atë që ndodhi në këtë transfertë, tekniku kryeqytetas evidenton frikën e të tijve: “Jam i pakënaqur, sidomos nga pjesa e parë. Skuadra nuk shprehu asgjë, bëri gabime elementare. Jo se Laçi na dominoi, por nuk kishim qarkullim topi. Pashë disa lojtarë të mitë shumë të frikësuar. Mbas pësimit të golit aktivizova disa lojtarë, që nuk mendohen se janë cilësorë, por luajnë më mirë se ata që kanë ardhur si përforcime dhe marrin pagesa të larta. Kjo ishte ndeshja që duhej luajtur me guxim, me zgjuarsi, por fatkeqësisht nuk ndodhi.

Momenti i golit? Lehtësisht e pësuam golin. Ishte një humbje topi e Danilos në mesfushë, ai la dhe krahun bosh, duke i dhënë mundësi Laçit të krosonte si donte. Edhe mbyllja në mbrojtje nuk ishte e duhura. Ky episod zgjidhi edhe fatin e lojës. U munduam mbas golit, rifreskuam skuadrën, patëm disa mundësi, por dëmtimet, problemet, vonesat e lojës, u bënë një pengesë shtesë. Goditjet standarde? Nuk i shfrytëzuam, edhe pse patëm disa mundësi. Këto janë ndeshje me tension, që dy-tri momente për finalizim nuk të vijnë kollaj. Qëllimi ishte për t’u mbrojtur, por gabuam me qarkullimin dhe largimin e topit. Ne mund të arrinim një rezultat pozitiv në Laç vetëm nëse tregoheshim burra e trima në fushën e lojës. Disa titullarë u dorëzuan, u frikësuan.

Në këto situata nuk mund ta fitosh një duel të tillë. Ajo që krijoi Laçi në këtë ndeshje erdhi prej gabimeve tona. Pushimi i kampionatit? U bë ndeshja e pestë e imja te Flamurtari dhe, pavarësisht se nuk kemi marrë pikët, 80 për qind kemi ndryshuar në lojë. Gabimet tona dhe fati na kanë ndëshkuar. Lufta do të jetë deri në fund. Kam mendimin se me Laçin dhe Teutën do të rivalizojmë për mbijetesë. Laçi ka bërë një hap para sot, por mbetet edhe faza e katërt. Nëse disa futbollistë japin rendimentin e duhur dhe për të cilin paguhen shumë, atëherë i kemi mundësitë për t’ia dalë. Duhet të bëj çmos deri në fund me këtë skuadër që kam në dispozicion.”

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar