Kampionati Shqiptar

Dy “finalet” e kampionatit, Skënderbeu kërkon gjyqtarë të huaj

Kampionati ka mbërritur në pikën e vet kulmore. Barazimi i fundit i Partizanit me Laçin u ka dhënë zemër dy rivalëve të tjerë,

Kampionati ka mbërritur në pikën e vet kulmore. Barazimi i fundit i Partizanit me Laçin u ka dhënë zemër dy rivalëve të tjerë, Kukësit dhe Skënderbeut. Veçanërisht korçarëve, kampionëve në fuqi, që synojnë ta mbrojnë kurorën. Dy sfidat e fundit të kampionatit, kuqebardhët e Ilir Dajës do t’i luajnë ndaj rivalëve për titull, në “Zeqir Ymeri”, kundër Kukësit, dhe në shtëpi, ndaj Partizanit. Për këto dy ballafaqime tepër të rëndësishme, drejtuesit e Skënderbeut do të kërkojnë gjyqtarë të huaj. Nëse fitojnë të hënën ndaj Tiranës, kjo kërkesë do të zyrtarizohet në FSHF. Në fakt, “akulli u thye” në këtë drejtim nga Partizani, që kërkoi “bilbila” të huaj për ndeshjen e vet me Kukësin.

Mbërriti një treshe sllovene, e cila, për hir të së vërtetës, la për të dëshiruar në gjykimin që kreu në “Selman Stermasi”. Mbi tri raste të diskutueshme ishin shumë për një stemë të FIFA-s nga Sllovenia, që “përpiu” 10 mijë euro me shërbimin që kreu. Mbetet të shihet si do të procedohet me kërkesën e juglindorëve, kush do t’i marrë përsipër shpenzimet financiare. Ajo që kuptohet është se dita-ditës po humbet besimi tek arbitrat shqiptarë, të cilët kanë ndikuar jo pak herë drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjeve të ndryshme. Disa janë pezulluar, të tjerë janë rikthyer me të njëjtat mëkate, ndërkohë që FSHF-ja me Akademinë e Arbitrimit nëpër Shqipëri po tenton të sjellë “gjak të ri”, sepse rrethi është ngushtuar ndjeshëm në këtë aspekt të mbarëvajtjes së garës.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar