Kombëtarja

Dy miqësoret me Maltën, Alban Bushi publikon listën e lojtarëve

Trajneri Alban Bushi ka publikuar sot listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore, që Shqipëria U-21 do të luajë kundër Maltës: më 16 nëntor, ora 19:00, në “Selman Stermasi” dhe më 19 nëntor, në “Loro Boriçi”, ora 19:00. Në fjalën e tij, tekniku i kuqezinjve të kësaj grup-moshe ka nënvizuar:

“Tashmë do të luajnë lojtarë të datëlindjes 1998-1999. Ne kemi punuar që të vijnë edhe lojtarë të datëlindjes 1999, sepse janë të spikatur. Kështu që ka goxha prurje të reja në skuadër. Prandaj vendosëm të luajmë këto dy ndeshje miqësore me Maltën, për për të parë gjendjen e lojtarëve që kemi pasur dhe të testuar të rinjtë. Kemi lënë edhe lojtarë të kampionatit shqiptar pa grumbulluar, por unë dua të shoh këta që kam përzgjedhur.

Malta? Eshtë një kundërshtar modest, por edhe ne jemi modestë. Në futboll nuk ka më kundërshtarë të vegjël apo të mëdhenj. Ne kemi luajtur dy miqësore ndaj Francës dhe Italisë, që janë kundërshtarë shumë të fortë. Kemi kohë që kemi vendosur për këtë miqësore, sepse vetëm kjo kombëtare na ktheu përgjigje. Por nuk besoj se do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi Malta ka bërë disa ndeshje të mira”.

A do të ketë emra të tjerë të rinj? Bushi përgjigjet: “Do të jemi në kërkim për të parë lojtarë, por nuk kemi një listë të zgjeruar, si herën e kaluar. Kemi shpresë nga kampionati i Maqedonisë, që do të afrohen dhe dy-tre lojtarë cilësorë. 80-90% e listës do të jetë kjo, që kemi sot. Nëse gjatë rrugës do ketë lojtarë që do të shkëlqejnë, patjetër që do të bëhen pjesë e ekipit kombëtar. Lojtarët e datëlindjes 1998-1999, por edhe datëlindja 2000, siç është Kumbulla, dhe disa të tjerë, do të jenë bazë e ekipit për sezonin që vjen”.

Seferi, Durmishaj etj., a ju vjen keq, që nuk janë në Kombëtaren A? “Atë e di trajneri Panucci, se kë merr dhe nuk merr. Kanë pasur një kohë të gjatë në ekipin tim, me ekipet e tyre po bëjnë mirë. Seferi është duke shënuar pothuajse çdo javë. Unë mendoj që ata janë të rinj dhe e kanë përpara karrierën, kanë mundësi të luajnë edhe të paktën dhjetë vite me kombëtaren e madhe. Nuk është ndonjë çudi, që nuk janë në ekipin kombëtar. Është trajneri, ai që i sheh se në çfarë gjendjeje janë”, – përgjigjet “Loku”.

Më tej, ai flet edhe për kontratën e tij si trajner i Shqipëria U-21 dhe detaje të tjera, që lidhen me punën e përditshme: “Për kontratën nuk kemi folur, por këto janë ndeshje brenda kontratës. Pjesën tjetër e di federata, se kur do të vendosë për ta shtyrë kontratën. Unë e kam mendjen te ndeshjet me Maltën. Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne, për të formatuar ekipin. Në fakt, ekipi pothuajse është i bërë nga sezoni i kaluar. Siç e kam thënë dhe herë të tjera, 70-80% e ekipit do të jetë edhe sezonin tjetër. 3-4 lojtarë i kemi të rinj. Na nevojitet një sulmues i mirë, si Vrioni, që tani është te Kombëtarja A. Lojtarët aktualë sulmues nuk kanë minuta në këmbët e tyre, siç është rasti i Hebajt apo Shefitit. Pra, nuk kanë minuta, por janë lojtarë mjaft të mirë. Na nevojitet edhe një mbrojtës i majtë.

Si është zbuluar Faton Dzemaili? Ai është lojtarë i perspektivës, pavarësisht se nuk ka minuta në këmbë, pothuajse fare, në ekipin serb, ku luan. Kemi parë pak video të tij në të shkuarën dhe mendojmë se ka cilësi të mira. Por, ngaqë kemi nevojë emergjente për një mbrojtës të majtë, u detyruam ta marrim. Tek ekipi i tij nuk luan për shkak se ka konkurrencë të forte. Njëri nga dy mbrojtësit e ekipit serb, ku luan Dzemaili, aktivizohet edhe me kombëtaren U-21 të Serbisë.

Çfarë ndikon te rezultatet e U-21? Mendoj se kemi luajtur mirë, kemi zhvilluar ndeshje të mira me Spanjën. Ndaj ekipeve të tjera e kemi dominuar kundërshtarin. Por duhet të përmirësohemi në ato gabime, që ne kemi bërë, si stafi, ashtu edhe lojtarët. Sidomos lojën në minutat e fundit duhet ta përmirësojmë, sepse kemi gabuar. Këtu mendoj se ka qenë eksperienca dhe mosha e vogël, që ka ndikuar; minutat që nuk kanë pasur në këmbë lojtarët tanë, në raport me kundërshtarin. Nëse do të shohim Sllovakinë, Islandën apo Irlandën, ato kanë pasur lojtarë që luajnë në ekipe shumë të mira. Edhe Çekia, Sllovakia me Islandën. Gjysma e lojtarëve të Islandës luajnë në Angli, kanë qenë lojtarë me minuta në këmbë”.

Më shumë nga Kombëtarja