Volejboll

Dy volejbolliste kuqezi në “dream team” të Ligës së Europës

Kombëtarja e femrave në volejboll u rendit dje në vendin e tretë të Divizionit të Argjendtë të Ligës së Europës, duke marrë medaljen e bronzit. Pas humbjes 3-0 ndaj Suedisë në gjysmëfinale, vajzat kuqezi mposhtën 3-0 Estoninë në takimin për vendet 3-4, duke u ngjitur në podium, një triumf fantastik i kombëtares kuqezi në këtë event europian.

Në 8 ndeshje të luajtura në këtë turne (në fazën e grupeve dhe atë finale), Shqipëria e drejtuar nga trajneri Altin Martiri arriti 6 fitore dhe pësoi vetëm dy humbje. Në përfundim të këtij turneu, është shpallur edhe skuadra ideale e këtij eventi europian, “dream team” i Ligës së Europës, ku bëjnë pjesë edhe dy volejbolliste kuqezi.

Arjola Prenga është vlerësuar si një nga shuteret më të mira, duke qenë në formacionin ideal, ashtu sikurse edhe qendra Sava Thaka, duke u dalluar me lojën e saj në bllok. Një vlerësim ky për kombëtaren kuqezi, që për herë të parë në 3 edicione pjesëmarrje arrin të kualifikohet në afzën finale dhe marrë një medalje.

MVP e Ligës së Europës

Isabelle Haak  (Suedi)

Dream Team

Pasuesja më e mirë: Josephine Tegenflak (Suedi)

Diagonalistja më e mirë:  Isabelle Haak (Suedi)

Shuteret më të mira: Ariola Prenga (Shqipëri) dhe Anna Haak (Suedi)

Qendrat më të mira: Sava Thaka (Shqipëri) dhe Nina Nesimovic (Austri)

Libero më e mirë: Sophie Wallner (Austri)

Arjola Prenga, kapitenia e kombetares kuqezi

Më shumë nga Volejboll