Bundesliga

E dhimbshme! Reus na jep lajmin e keq të radhës

Mos, prapë ai! Marco Reus është përfundimisht i mallkuar nga fati. Borussia Dortmund sot konfirmoi se mesfushori do të qëndrojë jashtë fushave deri në prill, pas dëmtimit që pësoi të shtunën në ndeshjen me Bayer Leverkusen-in. Verdhezinjtë fituan 6-2, por nuk e shijuan dot fitoren, sepse 27-vjeçari u desh të zëvendësohej pas 44 minutash lojë. Gjermani ka vuajtur një këputje muskuli në kofshën e majtë dhe duhet të trajtohet për të paktën një muaj.

Reus humbi disa nga javët e para të sezonit prej një problemi në ije dhe që atëherë nuk kishte pësuar një dëmtim tjetër serioz, por ky i fundit mund të quhet goditja e rëndë e radhës, e cila padiskutim që do të ndikojë shumë në aspektin psikologjik të tij. Trajneri Thomas Tuchel u shpreh shumë i mërzitur për dëmtimin e yllit të skuadrës. “Ky është një lajm i keq. Ai ka disa javë që luan në nivelin më të lartë. Padyshim që kjo është një humbje e madhe për ne.”

 

Më shumë nga Bundesliga