Champions League

E dini pse Isco po shkëlqen në Madrid? Ai e ka një ide…

E dini pse Isco po shkëlqen në Madrid? Ai e ka një ide…

Në fundjavë, Isco ishte lojtari i cili ndryshoi gjithë lojën e Real Madridit kundër Getafes në fitoren 2-1. Mesfushori spanjoll aktualisht është truri i skuadrës në sulm. Ai po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, ndryshe nga sezonet e kaluara, kur diskutohej largimi i tij nga “Santiago Bernabeu”.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Tottenham-in në Champions League, Isco theksoi se “pa punë të madhe nuk arrihet gjë”. Sipas tij, çelësi i rritjes së tij është pozicioni. “Tani po luaj më shumë në rolin tim natyral, paksa më shumë afër portës. Po luaj në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo më shton vetëbesimin”, – argumentoi 25-vjeçari.

“Gjithmonë do të ketë javë të vështira për lojtarë të ndryshëm. Çelësi është të gjejmë një ekuilibër në skuadër. Shpresoj të vazhdoj të jem kaq konstant, sepse jam i lumtur me gjendjen time aktuale”, – shtoi Isco.

I pyetur nëse mendon se është aq i mirë sa për të fituar “Topin e Artë” apo për të qenë në podium, lojtari i kombëtares spanjolle u përgjigj me modesti. “Nuk po mendoj për të tani”. Në fund, dy fjalë për kompeticionin. “Champions League është shumë i veçantë për Real Madridin. Duam të jemi të parët e grupit, por do të ndeshemi me një rival shumë të fortë”.

Fjalë të bukura, Isco, por kurrë sa lëvizjet e tua në fushë! Nesër presim magji!

Më shumë nga Champions League