Kombëtarja

E nis kundër Real Madridit. Sadiku transferohet te Levante, në La Liga

Legia e Varshavës dhe Levante kanë rënë dakord për transferimin e Armando Sadikut, sulmuesit të kombëtares shqiptare. Marrëveshja e lidh futbollistin me klubin “orriols” nga koha e tanishme deri në qershor 2020. Sadiku lindi në Cërrik, në Elbasan (Shqipëri) më 27 maj 1991. Në vitin 2008 debutoi në radhët e K.F. Turbina Cërrik. Një sezon më vonë shkoi te K.S. Gramozi Ersekë dhe në edicionin 2010-2011 u angazhua me K.S. Elbasani. Hapi i mëtejshëm ishte zbarkimi në Ligën Zvicerane, pas nënshkrimit me Locarno. Lugano dhe Zurich e pasurojnë përvojën e tij në futbollin zviceran. Në verën e vitit 2017 shkoi në Poloni, për të qenë pjesë e Legia Varshavës. Armando Sadiku është pjesë e rëndësishme e kombëtares së Shqipërisë. Ai debutoi me përfaqësuesen shqiptare gjatë qëndrimit të Gianni De Biasit në stolin e “Shqiponjave Kuqezi” në një duel kundër Gjeorgjisë. Sadiku mori pjesë në finalet e “Euro 2016”, në Francë.

Ai shënoi në ndeshjen kundër Rumanisë (1-0). Sulmuesi do të ushtrohet këtë mëngjes, duke filluar nga ora 10:30, në ambientet e “Ciudad Deportiva de Buñol”, së bashku me pjesën tjetër të skuadrës së parë të Levantes. Urimet e para, pas zyrtarizimit, që e ka bërë në faqen e vet edhe klubi spanjoll i La Liga-s, Sadiku i ka marrë nga Tramezzani dhe De Biasi, nën drejtimin e të cilëve pati një hop cilësor me fanellën kuqezi. Levante, skuadra e re e shqiptarit, aktualisht ndodhet në vendin e 16-të të La Liga-s, pas 21 javësh kampionat, në kufirin e zonës së mbijetesës. Interesant është fakti se ndeshja e radhës për Sadikun dhe skuadrën e tij të re do të luhet kundër gjigantëve spanjollë dhe europianë, Real Madridit, më 3 shkurt, në orën 20:45. Mbetet të shihet nëse sulmuesi shqiptar do të përfshihet në lojë, qoftë edhe me minutazh të reduktuar, pasi koha në dispozicion për t’u përshtatur është e vogël. Kujtojmë se te Levante, Sadiku gjen edhe një tjetër futbollist shqiptar. Fjala është për Enis Bardhin, i cili luan për kombëtaren e Maqedonisë, një nga talentet më të spikatur në futbollin e fqinjit tonë juglindor. 22-vjeçari ka luajtur 17 ndeshje në La Liga, këtë edicion, dhe ka shënuar 4 gola.

“Pasaporta”

Emri i plotë Armando Durim Sadiku
Datëlindja 27 maj 1991
Vendlindja Cërrik, Elbasan, Shqipëri
Gjatësia 1.82 m
Pozicioni Sulmues

Karriera me të rriturit

Vitet Skuadra Ndeshje (Gola)
2008–2009 Turbina Cërrik 40 (10)
2009–2010 Gramozi Ersekë 28 (8)
2010–2011 Elbasani 14 (5)
2011–2012 Locarno 39 (28)
2012–2013 Lugano 43 (24)
2014–2017 Zürich 55 (15)
2015–2016 Zürich U-21 8 (2)
2016 → Vaduz (huazim) 16 (7)
2017 → Lugano (huazimn) 16 (9)
2017– Legia Warsaw 17 (2)

Karriera me kombëtaret

2009 Shqipëria U-19 2 (0)
2011–2012 Shqipëria U-21 7 (6)
2012– Shqipëria A 32 (11)

Më shumë nga Kombëtarja