Seria A

E pabesueshme: nga Fiorentina tek Juventus, vidhen identitetet e lojtarëve

Një rrjet i madh maniakësh. Profile “social” që nuk kanë lidhje me fushën e lojës. Protagonistët janë disa lojtarë të ekipeve të moshave, të grumbulluar edhe nga ekipet e ndryshme të kombëtareve italiane, që po hedhin hapat e parë në futbollin e rëndësishëm. Më pas janë regjisorët, një ose më shumë, të cilët, duke vjedhur identitetet e futbollistëve, zhvillojnë një jetë “social” paralele, të përbërë nga intriga dhe ndërveprime. Kështu, ndodh që një mbrojtës krahu i Fiorentina-s ose një sulmues i Sassuolo-s, ose një mbrojtës i Juventus të jenë të detyruar t’i bëjnë të ditur ndjekësve të tyre dhe të denoncojnë praninë e një profili të rremë. Asnjë dëm ndaj imazhit, fatmirësisht, por prapaskenat janë interesante dhe tronditëse. Këta përdorues të profileve të rreme, në fakt, përdorin fotografi të vërteta dhe profesionale, shpesh edhe private, të marra nga profilet e vërteta.

Ndonjëherë, duke komunikuar me profilet e rreme, zbulohet se ata janë në zotërim të informacioneve private (numra telefoni, edhe të familjarëve, për shembull) të personit që i kanë vjedhur identitetin. Madje japin edhe intervista që më pas publikohen. Dërgojnë të dhëna dhe japin shpjegime mbi jetën private. Me pak fjalë, jetojnë jetën e personit të vërtetë, të cilit i kanë vjedhur identitetin. Për shkak se kujdesen për çdo detaj është e vështirë të kuptohet se bëhet fjalë për një profil të rremë. Dhe nëse komunikimi me botën e jashtme është faktori më shqetësues, ai tronditës vjen kur këta ndërveprojnë brenda këtij rrethi të llogarive të rreme, duke i bërë komente dhe TAG njëri-tjetrit.

Gjithçka duket se fillon nga Firence dhe më pas kalohet tek Juventus, Inter, Cesena, Empoli dhe Sassuolo. Janë rreth 15 profile të rreme, mes të cilëve figurojnë edhe të fejuara apo mike të rreme të sportistëve, disa prej të cilëve janë zhdukur në muajt e fundit. Pyetja e vërtetë është përse? Nuk ka asnjë lloj fitimi ekonomik dhe asnjë përfitim tjetër. Ndër të tjera, këto profile nuk janë fyes dhe nuk shprehin opinione të dëmshme. Në fakt, nuk dihet as nëse bëhet fjalë për një njeri apo për disa. Por kjo xhiro po zgjerohet dhe është shumë e rëndësishme që të bëhet kujdes sepse të gjithë mund të bien viktimë e këtyre profileve.

Më shumë nga Seria A