Connect with us

Lifestyle

E rrallë! 6 “trajnerët-gjyshër”, që nxjerrin sërish kampionë në Shkodër

Kjo mund të jetë diçka vërtetë e rrallë. Në Shkodër janë 6 trajnerë mbi 70-vjeçarë, që, ndonëse prej kohësh në pension, vijojnë të bëjnë punën e trajnerit dhe, madje, të nxjerrin kampionë. Jo më kot do t’i quajmë “gjyshërit” në këtë shkrim, sepse faktisht kjo është periudhë kur ata duhet të kalojnë kohën duke u marrë me nipërit dhe mbesat, por në fakt bëjnë tjetër gjë. Dalin përditë në stërvitje dhe objektivi i tyre është i qartë, për të nxjerrë sërish kampionë, siç kanë bërë gjithmonë. Po kush janë ata:
Renato Radoja – Ai është “gjyshi” më i madh në moshë. I datëlindjes 1939, pra sivjet do të mbushë plot 78 vite të jetës së tij. Megjithatë, ky kollos i basketbollit të luajtur, nuk heq dorë nga puna si trajner, teksa çdo ditë stërvit ekipin e basketbollit të të rejave të Vllaznisë. E bën pa pagesë, por thjesht nga pasioni i madh që ka për këtë sport. Dhe e bën ashtu si duhet punën e tij, sepse Vllaznia është kampione. Çka do të thotë se “gjyshi” Radoja nuk do të heqë dorë kollaj nga ky pasion që ka për të stërvitur të rinj dhe të reja deri në frymën e tij të fundit.
Dedë Bregu – Një tjetër “gjysh” aktiv. Edhe ai është i datëlindjes 1939, pra 78 vjeç. Kampion si mundës për vite me radhë në tapetet e Shqipërisë, duke përfaqësuar me dinjitet Vllazninë, por tashmë edhe trajner, që nxjerr kampionë. Pensionist, megjithatë e sheh çdo ditë në palestrën e mundjes së klubit shkodran, duke asistuar trajnerin Nazmi Elezi dhe duke stërvitur plot dëshirë e pasion kampionët e vegjël dhe ata të mëdhenj. Shkodra e ka sot një kampion, Qamil Bajramin, dhe ky është vazhdues i një tradite shumë të suksesshme që ky sport ka në këtë qytet. Padiskutim duke patur brenda edhe meritën e jashtëzakonshme të një “gjyshi”, që nuk ka ndër mend të heqë dorë asnjëherë “derisa t’i dalë fryma në tapet”, siç thotë dhe vetë.
Vildan Tufi – “Gjyshi” i radhës. I datëlindjes 1945, pra sivjet mbush 72 vjeç. Ky njeri, në vend që të qëndrojë pranë familjes dhe të shijojë këto vite pensioni, ka zgjedhur t’i qëndrojë pranë një sportisti, që do ta nderonte më pas, Izmir Smajlajt, të cilin pak muaj më parë e pa kampion i Europës. Pasioni i “gjyshit” Vildan për këtë sport është në kufinjtë e të pabesuesshmes, sepse e sheh çdo ditë duke bërë gati gropën e kërcimit, duke vendosur pengesat dhe çdo gjë për t’i qëndruar pranë këtij kampioni dhe jo vetëm atij. Jo vetëm kaq. “Gjyshi” Vildan nuk flet asnjëherë për nipërit e mbesat, por për rekorde dhe medalje të tjera. Kjo e bën atë të jetë unik në llojin e vet.
Paulin Ndoja – “Legjenda” e portës shkodrane. I datëlindjes 1945, edhe ai është një tjetër “gjysh” 72-vjeçar, që punon fort çdo ditë për të përgatitur portierë të talentuar të Vllaznisë dhe ekipeve të tjera. E ka nisur këtë punë në vitin 1987 dhe e vazhdon deri më sot pa pushim, me një pasion të jashtëzakonshëm. Kur e ngacmon për kohën, kur do të heqë dorë nga kjo gjë, ai të sheh shtrembër, sepse mendon që i kemi vënë në dyshim aftësitë e tij fizike e sportive për ta vazhduar këtë punë plot pasion.
Zef Gjoni – Pak muaj më parë festoi 70-vjetorin e lindjes dhe në ceremoninë e zhvilluar, kur shokët e miqtë e tij e përmendnin këtë përvjetor, profesor Zefi i kundërshtonte, duke u thënë: “Jam i ri. Sapo kam mbushur 50 vjeç dhe këtu do më keni edhe për 20 vite të tjera”. Vërtetë do të qëndrojë në palestër deri në moshën 90-vjeçare ky njeri? Të presim. Nga mënyra si i përkushtohet sportit të boksit, është e paimagjinueshme. Paradite dhe pasdite në stërvitje, një pjesë e madhe e kohës në grumbullime me kombëtaren dhe larg familjes, por ai nuk mërzitet. Prandaj dhe nuk ka dëshirë që mbesa e tij ta thërrasë “gjysh”, sepse i duket vetja shumë i vjetër me atë shprehje.
Roland Koka – Në fakt është më i riu ndër “gjyshërit” e këtij shkrimi. Në gusht të këtij viti mbush 69 vjeç, megjithatë punon pa u lodhur me ekipin e basketbollit të të rinjve të Vllaznisë. Vetëm pak ditë më parë u shpall kampion i vendit me të, titull ky që ishte i gjashti për këtë ekip në 11 sezonet që e drejton profesor Rolandi. Interesant është fakti se kur e pyet për vazhdimësinë, ai nuk heziton ta mendojë atë, por menjëherë të thotë se ka nisur punën për sezonin e ri, ku do të tentojë të fitojë titullin e radhës kampion.

 

 

Më shumë nga Lifestyle