• E thonë statistikat / Vllaznia aktuale, më e mira e 4 sezoneve të fundit

    Publikuar: 15 Mar 4:31

    Me fitoren e fundit ndaj Laçit, ekipi kuqeblu duket se do të vazhdojë i qetë garën deri në fund të kampionatit. Diferenca me ekipet që ka poshtë vetes, por edhe kalendari i ndeshjeve të ardhshme, e favorizojnë jo pak atë. Jo më kot, trajneri Armando Cungu në prononcimin e tij të fundit ka vlerësuar faktin se Vllaznia po bën paraqitjen më të mirë në këto gjashtë sezonet e fundit, kur klubi shkodran administrohet nga bashkia. Numri 1 i pankinës kuqeblu i referohej statistikave, që i janë servirur nga gazetarët. Por, a është vërtetë kështu? Mjafton t’u referohemi shifrave dhe natyrisht që heqim çdolloj dyshimi, nëse është vërtetë kështu apo jo.

    Po të krahasojmë sezonin aktual, pikërisht me javën e 25-të të tij, që sapo është mbyllur, me të njëjtën periudhë të sezoneve 2011-2012 dhe 2012-2013, dallojmë se nuk ka shumë ngjashëri. Kjo, ngaqë në kampionatin aktual duhen edhe 11 javë për t’u mbyllur, ndërsa në dy sezonet e mësipërme, pas javës së 25-të, kishte edhe vetëm një takim për t’u mbyllur gjithçka. Ndaj, kuptohet, llogaritë në ato raste janë bërë ndryshe. Në sezonin 2011-2012, pas 25 ndeshjeve të luajtura, Vllaznia kishte grumbulluar 34 pikë, ndërsa një sezon më vonë, në po të njëjtin moment të kampionatit, 35 pikë. Edhe në sezonin 2013-2014 nuk mund të bësh të njëjtin krahasim, sepse kampionati i atëhershëm kishte një formulë ndryshe, me tri faza, megjithatë deri në javën e 25-të, kuqeblutë kishin grumbulluar 29 pikë.

    Sa iu takon tri kampionateve të fundit, të cilët kanë të njëjtën skemë, me katër faza dhe 36 ndeshje në total, Vllaznia e sivjetme është e mira, pa as më të voglin diskutim. Në sezonin 2014-2015, pas 25 javësh kampionat, skuadra kishte grumbulluar 28 pikë. Në sezonin 2015-2016, sigurisht që nuk ka të krahasur, sepse vjet ecuria ka qenë shumë më e keqe, me vetëm 23 pikë të grumbulluara. Kuqeblutë kishin vetëm 6 fitore të arritura, 5 barazime dhe plot 14 humbje, me golaverazhin 24-29. Sivjet është tjetër gjë. Vllaznia ka aktualisht 31 pikë, me 7 fitore të arritua, 10 barazime dhe vetëm 8 humbje, ndërsa golaverazhi i saj është 20-20.


    Lexo postimet e tjera