Ligue 1

E thotë kapiteni i tij: Mbappe e meriton statusin e superstarit

Portieri dhe kapiteni i Francës, Hugo Lloris, beson se “adoleshenti” i PSG-së, Kylian Mbappe, e meriton statusin e krijuar, si një nga futbollistët më të mirë të botës. 19-vjeçari kishte mjaft ndikim në triumfin e Francës, në Kupën e Botës 2018.

Ai e ka ruajtur këtë formë mahnitëse edhe në sezonin e ri, duke shënuar tetë gola në vetëm pesë ndeshje në Ligue 1. Katër prej këtyre golave erdhën si me “magji” brenda 13 minutash lojë kundër Lyon, të dielën. Kylian figuron edhe në listën e 30 kandidatëve për të fituar “Topin e Artë”.

Portieri Lloris është i impresionuar me atë që po bën ylli i ri i PSG-së. “Natyrisht, Kylian ka një status të ri tashmë, – tha ai në një konferencë për mediat, përpara miqësores së Francës kundër Islandës (të enjten) dhe ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Gjermanisë, pesë ditë më vonë. – Edhe pse ka bërë gjëra të mëdha në Ligue 1 dhe në Ligën e Kampionëve, fitimi i Kupës së Botës i dha atij një dimension të ri në sytë e botës.

Ai po përshtatet mirë me këtë status të ri, të gjithë e njohim potencialin e tij të madh. Këtë e tregoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Lyon. Nuk është e lehtë për të shënuar katër gola në Ligue 1. Jam i sigurtë se ai mund t’i përsërisë këto lloj shfaqjesh, nga e para”.

Më shumë nga Ligue 1