Premier League

E zbulon Guardiola; klauzola e De Bruyne më e shtrenjtë se e Neymar

Pep Guardiola këmbëngul se ylli i Manchester City, Kevin De Bruyne, nuk është në shitje, madje thotë se mesfushori belg ka një klauzolë lirimi prej 250 milionë euro (më e shtrenjtë se transferimi rekord prej 222 milionë eurosh i Neymar nga Barcelona te PSG). De Bruyne ishte ylli i skuadrës, pasi Manchester City shkatërroi një varg rekordesh në fitimin e titullit të Premier League, nën udhëheqjen e trajnerit katalanas, sezonin e shkuar.

“Qytetarët” janë aktualisht pa të, për shkak të dëmtimit në gjunjë, që do ta mbajë De Bruyne jashtë fushave të blerta deri në nëntor. Pep Guardiola njoftoi se të interesuarit duhet të paguajnë një shumë rekord botëror për ta marrë De Bruyne nga Manchester City. 27-vjeçari paska nënshkruar një kontratë 6-vjeçare, më parë, këtë vit.

“Ai është shumë i mirë, është një lojtar shumë dinamik, – tha Guardiola në një intervistë me Valdano. – Trajneri i Leeds United, Marcelo Bielsa, më tha se ai ishte lojtari i tij i preferuar. Ditën tjetër takova prindërit e tij dhe shpesh kupton se si janë fëmijët kur i njihni prindërit. Ai është një djalë i pabesueshëm, klauzola e lirimit kap shumën e 250 milionë eurove. Më vjen keq, por ai nuk është në shitje.”

Ashtu si De Bruyne, Guardiola e ka lidhur të ardhmen e tij me Manchester City, duke bërë një zgjatje të kontratës: “Po, unë kam rinovuar dhe jam shumë i lumtur. Jam i mbrojtur mirë, nuk ndihem i gjykuar. Jam në klubin që më intereson”.

Më shumë nga Premier League