Connect with us

Futboll

Edi Martini: Kampionat i fortë, triumfon ekipi me nervat më të forta

Goli që Vllaznisë iu anulua në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Teutës, vazhdon të diskutohet gjatë në Shkodër, teksa shumica e mendimeve janë që kuqeblutë e kanë pësuar sërish nga gjyqtarët. Por ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe. Ish- futbollisti dhe ish- trajneri i kësaj skuadre, por që në fakt gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe Teutën, pikërisht Edi Martini, në një prononcim për “Telesport” shprehet se rezultati I barabartë ka qenë më i drejti i këtij takimi dhe sipas tij, arbitri nuk ka ndikuar në rezultatin përfundimtar të tij. “Deklaratat e pasndeshjes sigurisht që mund të kenë brenda edhe tension, edhe nervozisëm, por sot, kur të gjithë janë të qetë, mendoj se nuk ka patur ndonjë gjë për t’u shqetësuar shumë në atë takim. Unë mendoj se arbitrat nuk ndikuan në rezultatin e ndeshjes. Dhanë 11-metërsh për Vllazninë, karton të kuq për Teutën dhe nëse do të ishte arbitër tjetër, pse jo mund ta kishte dhënë 11-metërsh për ekipin durrsak dhe për pasojë, nuk besoj se duhet të bëjmë shumë zhurmë. Skuadra shkodrane luajti mirë, sidomos në pjesën e dytë, edhe me futjen në lojë të Hebajt e rriti presionin dhe mund të kishte fituar, por edhe me barazim duhet të jetë e kënaqur sepse tashmë llogaritë bëhen edhe me një pikë”– ka thënë për telesport.al Martini.

Vllaznia-Teuta 0-0.

Ndërkohë, i pyetur në lidhje me kampionatin, garën për kreun dhe atë të fundit të renditjes, një nga sulmuesit më të mëdhenj të kampionatit shqiptar pas viteve ’90, është i mendimit se gara do të jetë e fortë dhe për momentin askush nuk mund të thotë se kush del kampion apo kush bie nga kategoria. “Gjithçka është në pikëpyetje. Gara për titullin pritet të jetë e forte, por ajo që më bën përshtypje është se tre skuadrat e kreut nuk po na kënaqin shumë. Edhe në përballjet me ekipet e vendeve të fundit të renditje, nuk shfaqin diferencë ndonëse kanë shpenzuar miliona euro për të ndërtuar ekipet. Sa i takon garës për të mos rënë nga kategoria, edhe ajo duket e fortë. Flamurtari për momentin duket më i rrezikuari por janë edhe 30 pikë në lojë dhe gjërat mund të përmbysen. Mjaftojnë dy humbje rradhazi dhe çdo ekip e sheh veten poshtë në renditje prandaj dhe pres një garë të fortë deri në javën e fundit të kampionatit. Mendoj se do të triumfojë ai ekip që do t’i ketë nervat më të forta”- deklaroi Martini, kur kanë mbetur edhe 10 javë nga përfundimi i kampionatit.

Nga Gjergj Kola

Më shumë nga Futboll