Futboll

EKSKLUZIVE/ Edon Zhegrova: Alban Bushi më ka kontaktuar, por dua ftesë nga Panucci!

EKSKLUZIVE/ Edon Zhegrova: Alban Bushi më ka kontaktuar, por dua ftesë nga Panucci!

Ai është vetëm 18-vjeç dhe në Belgjikë është një yll që po shkëlqen. Lojtarin e tij të preferuar ka Leo Messin, ëndrra e tij e madhe është që një ditë të luajë për Barcelonën. Edon Zhegrova, 18-vjeçari nga Kosova është duke hedhur hapa të rëndësishëm në futbollin europian. Ai luan aktualisht për skuadrën e Genk në Belgjikë. Mesfushori me tipare sulmuese, që luan në krahun e djathtë, është kontaktuar nga TeleSport, ku ka rrëfyer karrierën e tij si futbollist. Ai ka marrë një kontakt nga trajneri i Kombëtares U-21 Alban Bushi, por 18-vjeçari tregon se ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, pasi pret një ftesë nga trajneri i Kombëtares A Christian Panucci apo nga përfaqësuesja e Kosovës. Për më tepër lexoni intervistën e Edon Zhegrova, dhënë për TeleSport!

-Edon, mund të na tregosh si ka nisur karriera jote në futboll?

-Fillimisht kam filluar të luaj nga mosha 5 vjeçare pastaj më vonë kam filluar të luaj te klubi i FC Prishtina dhe më pas kam shkuar te KF Flamurtari në Kosovë.

-Si jeni transferuar te skuadra e Genk?

-Së pari te klubi i STVV në Belgjikë në moshën 15 vjeçare më ka marrë mua dhe gjithë familjen në Belgjikë…

-Më pas çfarë ndodhi? Si shkuat te Genk?

-Pastaj kam luajtur aty për dy vite e gjysmë vetëm në ndeshje miqësore pasi nuk kam pasur të drejtë. Duke luajtur ndeshje miqësore me këtë skuadër skautët e Genkut më kanë parë. Pastaj kam nënshkruar një kontratë profesionale me ta.

-Aktualisht jeni duke luajtur shumë mirë për Genk. Si ndiheni që luani si futbollist profesionist?

-Natyrisht që kjo ka qenë ëndrra ime që një ditë të luaj në një klub Europian dhe ti tregoj gjithë botës kualitetin tim. Dhe jam shumë i lumtur!

-Do vijoni të luani për Genk apo ka interesim ndonjë klub tjetër?

-Jam shumë i lumtur te Genku po natyrisht ka klube të mëdha të interesuara, por jam i fokusuar te Genku.

-Në mediat Kosovare  ju keni folur për pranimin e një ftese të Kombëtres U-21 të Shqipërisë. A është e vërtetë që do t`ju shohim të luani për fanellën kuq e zi?

-Po, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, më ka kontaktuar.

-Keni pranuar të luani për Shqipërinë?

-Nuk kam thënë asgjë ende, por e kam parasysh.

-A keni dëshirë të luani një ditë për Kombëtaren dhe nëse do zgjidhnit, për kë do donit të luanit, Shqipërinë apo Kosovën?

-Jam duke pritur po ashtu për Kombëtaret A dhe pastaj do zgjedh.

-Për Kombëtaren A të Shqipërisë?

-Të dyja!

-Keni pasur një kontakt nga trajneri Panuci?

-Jo, nuk kam pasur.

-Si i vlerësoni dy ekipet përfaqësuese, të Shqipërisë dhe Kosovës. A keni ndonjë idhull në këto ekipe?

-Natyrisht kam dëshirë të dyja kombëtaret të kenë sa më shumë sukses dhe arritje më të mëdha sepse jam shqiptar.

-Cilin lojtar pëlqeni më shumë në Shqipëri apo Kosovë?

-Nuk kam ndonjë të preferuar, por ka lojtarë shumë të mirë.

-Edon, përveç Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës, a keni pasur ndonjë kërkesë për të luajtur me Belgjikën?

-Po, ka të interesuar edhe këtu në Belgjikë. Mediat më kanë pyetur a do të luaja për Belgjikën.

-Ju do e pranonit një kërkesë të tillë?

-Nuk mendoj.

-Edon, përtej Kombëtres, Juve ju cilësojnë si një “Messi” shqiptar, a është ai idhulli juaj?

-Po.

-Ku do të dëshironit të luanit në të ardhmen?

-Ëndrra ime është që një ditë të luaj te Barcelona!

-Suksese, shpresojmë të shkojë kështu!

-Faleminderit.

Më shumë nga Futboll