Futboll

Ekskluzive/ Flamurtari mendon për merkaton e janarit, pret një ganez në provë

Flamurtari e nisi mjaft mirë sezonin e ri duke grumbulluar 7 pikë në 3 ndeshjet e para, por më pas erdhën dy humbje radhazi që sollën probleme në kampin bregdetar. Fillimisht ishte humbja me Skënderbeun në Vlorë, më pas disfata shkatërruese kundër Partizanit me rezultatin 3-0 në “Selman Stërmasi”. Kaq ka mjaftuar që në kampin e kuqezinjëve të mos jenë të kënaqur me ecurinë e skuadrës dhe të mendojnë për merkaton e janarit.

Në fakt, trajneri Ilir Daja pret në Vlorë një ganez. Burime të sigurta brenda klubit vlonjat bëjnë me dije për Telesport se tekniku është bindur për t’i dhënë një mundësi të riut Michael Boayke. Futbollisti është i datëlindjes 13 korrik 1999 dhe ka luajtur në vendin e tij. Ai pritet të mbërrijë në qytetin bregdetar për të zhvilluar një provë pranë kampit kuqezi. Në rast se i riu bind, atëherë mund të ketë mundësinë që të qëndrojë me Flamurtarin dhe të nënshkruajë në janar. Pozicioni i tij është mesfushor i avancuar.

Kanë mbetur të diskutohen vetëm disa detaje të vogla, pasi parimisht palët kanë rënë dakord. Të njëjtat burime theksojnë se për momentin po diskutohet vetëm për biletën e udhëtimit nëse do ta mbulojë klubi bregdetar, apo futbollisti vetë. Mbetet për t’u parë vetëm koha se kur do të mbërrijë futbollisti në Shqipëri. Situatat janë të favorshme deri tani, nëse zgjidhet dhe pjesa e biletës, lojtari do të zbarkojë në vendin tonë.

 

Më shumë nga Futboll