Ligue 1

“El Loco” Bielsa, luan me një sulmues dhe një mesfushor në portë. Humbet 3-0

Marcelo Bielsa, i njohur me pseudonimin “El Loco” (i çmenduri), e kishte nisur këtë sezon të Ligue 1 duke i dhënë një leksion futbolli Nantes së Claudio Ranieri-t në javën e parë të kampionatit. Në javën e dytë do të luante në shtëpinë e skuadrës që është ngjitur këtë vit në kategorinë kryesore të futbollit francez (pas 9 vitesh), Strasbourg. Dhe Lille ka treguar një fytyrë tjetër. Pjesa e parë, pavarësisht dominimit të vendasve, është mbyllur 0-0. Por Bielsa ka vendosur të rrezikojë dhe është ndëshkuar, për shkak të fatit dhe çmendurisë së portierit Mignan. Ka bërë tre zëvendësime në pjesën e parë dhe kur portieri i tij ka dalë me të kuq nuk ka pasur më zëvendësime në dispozicion. Rezultati: dy lojtarë të provuar në portë dhe tre gola të pësuar. Por t’i marrim gjërat me radhë.

3 ZËVENDËSIME NË 38’ – Ndeshja ka nisur keq për Lille: mes minutave 11 dhe 18 janë dëmtuar dy lojtarë, mesfushori Thiago Mendes dhe mbrojtësi i krahut Malcuit. Me aktivizimin e Bissouna dhe Thiago Maia kanë ikur dy zëvendësimet e parë. Por skuadra e Bielsa ka vazhduar të ketë probleme, veçanërisht në krahun e majtë, ku Fodé Ballo-Toure ndëshkohet me karton të verdhë dhe kalohet pa probleme nga kundërshtarët. Bielsa nuk mendohet dy herë dhe bën zëvendësimin e tretë.

DY PORTIERË, TRE GOLA – Një rrezik që është transformuar në një gjysmë vetëvrasje kur Maignan bën fjalë me Corgnet, duke e goditur këtë të fundit me top mbas koke. I kuq direkt! Në portë shkon sulmuesi De Preville dhe ishte vetëm minuta e 63-të. Në të 76-ën Martin ia ka kaluar topin mes këmbëve dy hapa larg, duke kaluar në avantazh Strasbourg. Pas këtij momenti, Bielsa vendos ta kthejë De Preville në sulm dhe të fusë mesfushorin Ibrahim Amadou në portë. As kjo lëvizje nuk ka funksionuar, me këtë të fundit që ka pësuar dy gola, një me penallti dhe një nga larg. Strasbourg fiton dhe Lille ka prishur gjithçka të mirë të bërë një javë më parë.

Më shumë nga Ligue 1