Futboll

“El Maestro” refuzon të përjetësohet së gjalli, si Ronaldo dhe Messi

Me gjithë kushtëzimet fizike shëndetësore, trajneri uruguajan, Oscar Washington Tabarez, rinovoi një javë më parë edhe për një tjetër sezon me kombëtaren e vendit të tij. Ky do të jetë edicioni i katërt radhazi i tij në stolin e Uruguajit. Për çdo gjë të bërë me kombëtaren e tyre, tifozët uruguajanë nuk kishin ide më të mirë, se të planifikonin t’i bënin një statujë me përmasa reale “El Maestro”.

Megjithatë, përgjigjia e Tabarez i befasoi shumë, sepse trajneri historik nuk pranoi të përjetësohej në bronz, përmes një statuje, që ishte planifikuar të ngrihej në Montevideo. Refuzimi kishte si justifikim se statuja për trajnerin rrezikon shkatërrimin e frymës së bashkimit, të cilën po kërkon ta krijojë dhe inkurajojë përfaqësuesja uruguajane. Po si kishte marrë jetë kjo ide? Në Uruguaj ekziston një platformë, e quajtur “Montevideo Decide”, ku njerëzit mund të propozojnë ide të ndryshme për t’u materializuar.

Propozimi përfundimtar ishte krijimi i një statuje të madhësisë reale të trajnerit historik të Uruguajit, Oscar Washington Tabarez, si një shenjë mirënjohjeje për vlerat e larta kombëtare. Megjithatë, organi përkatës, që është përgjegjës për miratimin e kësi projektesh, raportoi se arsyet e trajnerit Tabarez, që të mos konkretizohej propozimi i tifozëve, ishin të kuptueshme dhe e respektojnë ndjenjën e tij.

Po ashtu, kishte tifozë që nuk pajtoheshin me krijimin e një statuje të tillë, përderisa personi ishte gjallë dhe, në vitet e mëparshme, Tabarez u akuzua nga ish-bashkëshortja e tij për një rast tradhtie. Kujtojmë se statuja të tilla janë bërë edhe për dy yjet e futbollit botëror në dekadën e fundit, Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi, në vendlindjet e tyre.

Më shumë nga Futboll