Kampionati Shqiptar

Elvin Beqiri: Ende herët, Vllaznia s’i ka shpëtuar rrezikut të rënies

Në asnjë ndeshje që zhvillohet në Shkodër, nuk mungon të jetë në tribunën e “Loro Boriçit” për të ndjekur e mbështetur Vllazninë. Ish-kapiteni i saj, Elvin Beqiri, padyshim që i është gëzuar me fitoren ndaj Teutës, sepse ka qenë një sfidë shumë delikate. Duke folur në lidhje me këtë takim, ai do të shprehej: “Para disa javësh, Teuta ishte mbi Vllazninë në renditje, ndërsa tashmë gjërat kanë ndryshuar. Me fitoren e fundit, Vllaznia është më e qetë, por, gjithsesi, nuk ka mbaruar asgjë. Ka edhe shumë javë në vazhdim dhe shpresojmë që skuadra të vazhdojë me këtë ritëm. Ekipit i duhen fitoret në këto momente. Nuk ishte një ndeshje aspak e lehtë ajo ndaj Teutës, një rival direkt ky i Vllaznisë. Por, ekipi reagoi mirë, shfaqi dëshirë e grintë në fushën e lojës. Vllaznia gradualisht po del në lojën e saj, por duhet të presim ende për të parë ekipin e vërtetë”. Po, a mund të quhet tashmë e shpëtuar skuadra shkodrane, ngaqë ka lënë poshtë vetes dy të tjera në renditje? Beqiri thotë “jo”. Sipas tij, ekipit i duhen edhe disa fitore: “Është akoma herët për të thënë nëse Vllaznia i ka shkëputuar rrezikut të rënies, sepse ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Tashmë, nuk duhet të na interesojë ecuria e skuadrave të tjera. Duhet punuar fort, në mënyrë që Vllaznia të marrë pikë edhe në Gjirokastër. Kurrsesi nuk duhet humbur këtë javë me Luftëtarin”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar