Futboll

Emery: “Neymar te Real Madrid? Spekullime për të na shkatërruar”

Trajneri i Paris Saint-Germain (PSG), Unai Emery, akuzoi mediat me pretendimin se po tentojnë të destabilizojnë ekipin e tij, madje duke dhënë një shembull konkret për një nga gazetat më të mëdha spanjolle, e cila spekullonte sot për një transferim të mundshëm të Neymar nga PSG në drejtim të Real Madrid. “Unë e di që ata po përpiqen të na çekuilibrojnë nga jashtë, për shembull sot, nëse hedh një sy në gazetën në Spanjë, lexon një titull kryesor që thotë se Neymar po shkon te Real Madrid, por kjo gjë nuk na bezdis ne”, deklaroi trajneri spanjoll i PSG, gjatë konferencës për mediat, përpara ndeshjes ndaj Nantes, e vlefshme për Ligue 1.

Emery iu përgjigj pyetjeve të ndryshme edhe në lidhje me debatet dhe çrregullimet në dhomën e zhveshjeve, me protagonistë uruguajanin Edinson Cavani dhe argjentinasin Javier Pastore, pas pushimeve të fundvitit. Debate që çuan deri në ndërhyrjen e drejtorit sportiv të PSG Antero Henrique, që shprehu mbështetjen e tij për trajnerin. “Çështjet e brendshme të tilla si këto detaje të vogla që ndodhën gjatë pushimeve janë vetëm 10% e asaj që ndodh në skuadër, ndaj do të rigjejmë sërish normalitetin. Grupi është shumë mirë, i vokusuar te ndeshjet që po vijnë dhe te dueli kundër Real Madrid”, deklaroi trajneri Emery.

Më shumë nga Futboll