• Enrique studion Juven, skemë surprizë për të mundur bardhezinjtë

    Publikuar: 19 Mar 11:56

    Pas fitores së djeshme të Real Madrid në kampionat, sot Barcelona është e detyruar të triumfojë ndaj Valencias në “Camp Nou” për të mbajtur hapin e rivalëve historikë në La Liga. Një ndeshje e vështirë, që është edhe një test i mirë për skuadrën “blaugrana” në prag të përballjes me Juventusin në çerekfinalet e Champions League. Trajneri Luis Enrique u shpreh se nuk ka asnjë diferencë në aspektin teknik mes skuadrës së tij dhe kampionëve të Italisë, ndaj dhe po përgatit një skemë të veçantë për të mundur bardhezinjtë. Ai ka studiuar lojën e Juventusit dhe po mendon që tani për atë sfidë.

    Trajneri i Barcelones, Luis Enrique

    Juve është një ekip i fortë taktikisht dhe nuk kanë një modul fiks loje, pasi Allegri adapton skemat sipas profilit të lojtarëve që aktivizon”, tha Enrique, që shtoi se skema 4-2-3-1 e Juventusit shpesh ndryshon në një 4-4-2. Pra, duket qartë që trajneri i Barcelonës ka nisur që tani të mendojë për ndeshjen e Champions ndaj Juventusit. “Nuk mendoj se Juventusi do të jetë një ekip që do të mbyllet pas, nuk besoj më të “catenaccio”. E pamë edhe se si Napoli ishte agresiv ndaj Realit, ndaj besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar fort. Po përgatitemi për atë sfidë, duke menduar diçka të veçantë”, tha trajneri i Barçës.


    Lexo postimet e tjera