Connect with us

Futboll

Erald Çinari, asgjë konkrete për largimin nga Vllaznia

Pavarësisht zërave që e çojnë në Kroaci, Erald Çinari është dhe do të jetë një futbollist i Vllaznisë. Të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Ndryshe nga sa shkruhet në media, për këtë futbollist duket se nuk ka asgjë të vërtetë për kontakte me një klub në Kroaci. Natyrisht që interesi i menaxherëve të ndryshëm mund të ekzistojë në këtë mes për të bërë një lëvizje të tillë, por nuk ka asgjë konkrete në këtë mes.Edhe në klubin Vllaznia askush nuk ka dijeni për një gjë të tillë. Për më tepër që lojtari është nën kontratë me kuqeblutë deri në vitin 2019 dhe ndryshe nga Hebaj, nuk ka asnjë opsion largimi.

Të njëjtën gjë kanë konfirmuar edhe burime pranë futbollistit. Sipas tyre, Çinari pas disa ditëve pushimi, është duke pritur nisjen e stërvitjes me ekipin shkodran në mënyrë që të zhvillojë një sezon sa më të mirë, ndryshe nga ai që lamë pas, në të cilin e nisi me jo pak probleme për shkak të disa dëmtimeve, por që më pas kaluan dhe ai bëri paraqitje të mira. 20 vjeçari ka qenë në fushë për 27 ndeshje dhe ka shënuar edhe dy gola për ekipin e tij. Kuptohet që për sezonin e ri objektivat janë më ambiciozë, në mënyrë që pas përfundimit të tij pastaj, opsionet për largimin jashtë vendit të shtohen.

Më shumë nga Futboll