Volejboll

Erlind Pëllumbi: Fitoret dhe medaljet janë triumf për volejbollin shqiptar

Sezoni veror i volejbollit ka dhuruar shumë emocione të mëdha te sportdashësit, pasi rezultatet e arritura në fushë nga të gjitha ekipet kombëtare, si në ndeshjet e sallës ashtu dhe ato të plazhit, kanë qenë të kënaqshme. Kualifikimi i munguar në “fotofinish” në finalet e Ligës së Europës, medaljet në Ballkaniada, por mbi të gjitha fitoret e shumta të arritura në arenën ndërkombëtare, janë një tregues i mirë se volejbolli shqiptar ka pësuar një proges të konsiderushëm gjatë viteve të fundit. Rikthimi në arenën ndërkombëtare me të gjitha grupmoshat  po jep rezultate dhe ky është vetëm fillimi i një pune të gjatë, që do të japë të tjera kënaqësi.

Ekipet kombetare te volejbollit se bashku para Liges se Europes

Ka qenë një sezon veror i mbarë, me rezultate të mira, që na kanë dhënë shumë emocione në fushë. Jam shumë i kënaqur që puna e bërë ka dhënë rezultate, çka tregon se jemi në rrugën e duhur. Fitoret e arritura nga ekipet kombëtare, si ato të rritura ashtu dhe nga ato për mosha, medaljet e fituara në Ballkaniada dhe paraqitjet positive në arenën ndërkombëtare, kanë qenë një fitore për volejbollin shqiptar dhe ky është një sinjal pozitiv për të ardhmen”, ka deklaruar presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi. Më tej, numri 1 i volejbollit shqiptar tha: “Këto rezultate nuk janë të rastësishme, përkundrazi, janë frut i një pune të madhe, i një strategjie që Federata e Volejbollit ka ndjekur”.

Kombetarja U-20, medalje argjendi ne Ballkaniade

Presidenti i FSHV-së shpalos shkurtimisht edhe aktivitetet e mbetura të këtij sezoni veror, që do të zgjasë deri në shtator dhe më pas do të nisë puna për sezonin e ri 2017-2018. “ Natyrisht që nuk kënaqemi dhe nuk flemë mbi dafina, por e dimë se na pret një punë edhe më e madhe për t’u rikonfirmuar në të ardhmen. Kemi ende një Ballkaniadë me paratërinjtë që do të luhet në Serbi, ndërsa në shtator do të organizojmë në Durrës turneun Ballkanik për kategorinë “senior” në beachvolley. Dhe, në fund të shtatorit, po këto ekipe do të marrin pjesë në Turqi, për të mbyllur kështu këtë sezon të ngjeshur sportiv me aktivitete. Por, paralelisht kemi nisur nga puna për përgatitjen e sezonit të ri 2017-2018”, tha Pëllumbi. Erlind Pëllumbi, presidenti i FSHV-së,  në fund falënderon të gjithë aktorët që bënë të mundur këtë arritje. “Unë dua t’i falënderoj të gjithë protagonistët e kësaj vere, e cila në fakt nuk ka përfunduar ende, pasi kemi ende shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare përpara. Por e di se këto rezultate janë një shtysë për të gjithë ne, të gjithë janë përpjekur për të dhënë maksimumin, trajnerë e lojtarë dhe i ftoj të vijojnë në këtë rrugë”, tha Erlind Pëllumbi.

Më shumë nga Volejboll